Milani synon dyshen madrilene Kaka-Khedira

05/10/2011 00:00

Milani është i vendosur të bëjë për vete Kaka dhe Khedira nga Reali i
Madridit, informoi ditën e sotme e përditshmja sportive “La Gazzetta
dello Sport”.

Drejtori sportive i kuqezinjve, Ariedo Braida, ndodhej në stadium në fitoren e arritur nga gjigantët madrilenë në fushën e Espanjolit dhe besohet se i ka komunikuar interesin e tij për dyshen drejtuesve të “galaktikëve”.

Qëllimi kryesor i kampionëve të Italisë është të rikthejnë në radhët e tyre yllin brazilian, Kaka, i cili nuk është konsideruar asnjëherë si një futbollist i pazëvendësueshëm nga ana e trajnerit të tij, Jose Mourinho.

Ndonëse 29-vjeçari mohon të jetë duke marrë në konsideratë mundësinë e largimit, gjithçka do të përcaktohet nga vendimi përfundimtar i Mourinho-s. Një tjetër dëshirë e kuqezinjve është mesfushori Sami Khedira.

I fajësuar publikisht nga trajneri i tij për humbjen e pësuar dy javë më parë ndaj Levantes, gjermani duket se dëshiron të largohet nga madrilenët, për një tjetër ekip të madh, ku të ketë të garantuar vendin e titullarit.

Megjithatë, një tratativë e mundshme e kuqezinjve me Realin për blerjen e Khediras, paraqitet më e vështirë për momentin se sa blerja e mundshme e Kaka-së.

Top Channel