
Një anije peshkimi është mbytur në basenin e portit detar të Durrësit
mëngjesin e sotëm, ndërsa shkak për këtë duket se është bërë amortizimi i mjetit dhe pamundësia për t’a riparuar pas mbylljes së kantierit të vetëm
detar të riparimit të anijeve në Shqipëri.
Anija e peshkimit “Sevaster” ka marrë ujë gjatë natës duke u fundosur dhe krijuar probleme për lëvizjen e peshkarexhave të tjera që ndodhen në kalatën e peshkimit, ngjitur me kalatën ku më parë ndodhej Kantieri Detar.
Gjatë verës, në kuadër të Masterplanit për portin e Durrësit, kompania turke “Durrës Kurum Shipping” sh.a ka tërhequr bazën materiale për t’ia kaluar territorin e kantierit nën administrim Autoritetit Portual Durrës.
Hapësira që për disa dekada shërbeu si kantier për ndërtimin dhe riparimin e anijeve ka pushuar së funksionuari pasi në masterplanin portual të miratuar 2 vite më parë nga qeveria territori do të shfrytëzohet për shërbime portuale si terminal çimentoje dhe pjesë të terminalit të trageteve.
Por edhe para këtij vendimi, armatorët shqiptarë e kanë pasur të vështirë të marrin shërbime nga ky kantier, dikur pjesë e krenarisë detare shqiptare në të rajon.
Kompania turke ia ndryshoi destinacionin kantierit, duke vendosur çmime të larta e të papërballueshme për armatorët. Tashmë mbetet që pronarët e anijeve t’i dërgojnë mjetet e tyre për riparime në Greqi dhe Itali, por për anijet e peshkimit kjo mbart kosto të lartë.
Top Channel