Botërori 1966, Gjermania merrte doping

05/10/2011 00:00

Finalja e Botërorit të vitit 1966 është një prej më të debatuarave
ndonjëherë, për shkak të golit vendimtar të anglezëve, i cili nuk e
kaloi asnjëherë tërësisht vijën fatale.

Anglia siguroi titullin e vetëm të historisë, në atë ndeshje të zhvilluar në “Wembley”, por finalja tashmë rikthehet edhe një herë në qendër të opinionit publik, këtë herë për një arsye tjetër.

Në një letër të zbuluar nga Universiteti i Berlinit, ekzistojnë prova se që atëherë, tre futbollistë gjermanë kishin përdorur substanca të ndaluara për të përmirësuar rendimentin e tyre sportiv.

Letra mban datën e 29 nëntorit 1966 dhe është shkruar nga ish-presidenti jugosllav i FIFA-s, Mihailo Andrejeviç, se tre futbollistë të ekipit gjerman rezultuan pozitivë për substancën e quajtur ephedrin. Letra i dërgohej presidentit të Federatës Gjermanoperëndimore të Futbollit, Max Danz.

Menjëherë pas raportimit të lajmit nga mediat gjermane, e përditshmja britanike “Daily Mail” kontaktoi disa prej futbollistëve të vetëm të ekipit kampion të Anglisë, ende në jetë.

”Jam absolutisht i befasuar. Gjithmonë kam menduar se ku e gjetën gjermanët tërë atë energji gjatë kohës shtesë. Të gjithë ishim të rraskapitur pas 90 minutave shumë impenjative, por ata vazhdonin të vraponin si të çmendur”, kujton mbrojtësi George Cohen, një nga heronjtë e atij suksesi.

”Në këto rrethana është me të vërtetë një fat i madh për futbollin që në fund ne arritëm të fitonim gjithsesi, ndryshe FIFA do të ishte vendosur në një situatë me të vërtetë shumë të vështirë ditën e sotme. Më duket e pabesueshme që është mbajtur e fshehtë kjo histori deri në ditët e sotme”.

Ephedrina është një substancë që në atë kohë përdorej nga njerëzit që kishin probleme me tretjen e ushqimit, por ka veti stimuluese dhe figuronte midis listës së medikamenteve të ndaluara gjatë Botërorit.

Dopingu ishte një fenomen krejtësisht i panjohur në periudhën kur ndodhi ngjarja. Testet e para anti-doping të historisë u kryen pikërisht gjatë Botërorit në fjalë.

Top Channel