Teuta fiton ndaj Bylisit

04/10/2011 00:00

Teuta harron shumë shpejt humbjen me Vllazninë në Shkodër, pasi arrin të fitojë përballë një kundërshtari shumë të fortë të këtyre javëve të para të Superligës si Bylisi.

Një ndeshje e tensionuar mes këtyre dy skuadrave me synimi të ngjashme në kampionatin shqiptar, megjithatë të rinjtë e drejtuar nga Hasan Lika sërish kanë arritur t’i bëjnë ball edhe një skuadre si Bylisi, të fortë e agresive.

Në pjesën e parë të pakta ishin rastet e shënimit, vec disa momentesh tensioni mes lojtarëve. Edhe pjesa e dytë ka qenë një fotokopje e së parës, ndërkohë që durrsakët arrijnë të zhbllokojnë rezultatin në minutën e 72-të.

Një aksion i gjatë në zonën e Bylisit shfrytëzohet mirë nga Cota i cili në mënyrë të dhunshme e ndoshta në limitet e agresivitetit të lejuar shtyn topin në rrjetë. Ky ishte goli i vetëm i këtij takimi, ndërsa përpjekjet e ballshiotëve deri në momentin e fundit ishin të shumta, raste të cilave iu shtua edhe portieri Egbo, megjithatë rrjeta e portës së Teutës mbeti e paprekur deri në fund.

Me këto tre pikë Teuta dhe Tirana ndajnë me nga 9 pikë kreun e Superligës shqiptare pas katër javësh.

Top Channel