Polonia i është shtuar zërave evropianë se Kosova është një parakusht bazë për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Ambasadori polak në Beograd, Andrzej Jasionowski ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është thelbësor.
“Deri në marrëveshjen e plotë, autoritetet në Serbi duhet të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe KF0R-in dhe jo të ngrenë pengesa”, ka deklaruar Jasionowski në samitin ekonomik që po mbahet në kryeqytetin serb.
Diplomati ka nënvizuar se koncepti i BE-së nënkupton që vendet anëtare të sigurojnë paqe dhe stabilitet.
Javën e kaluar ishte Gjermania që i bëri thirrje Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve të saj me vendet fqinje nëse dëshiron të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.
“Serbia duhet të rregullojë raportet me fqinjët e saj, jo vetëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit, por edhe për të marrë statusin e vendit kandidat”, deklaroi sekretari shtetëror në Ministrinë e Jashtme gjermane, Werner Hoyer.
Ai tha se, Serbia duhet të shprehë qartë qëndrimin e saj përsa i përket bisedimeve me Kosovën dhe po ashtu edhe përsa i përket situatës në veri të shtetit të ri.
“Jemi shumë të interesuar për marrëdhënie konstruktive me Serbinë, por na duhet një progres i rëndësishëm”, theksoi Hoyer gjatë një seance në Bundestag.
Top Channel