Një ditë nga jeta e Haskit

04/10/2011 18:45

Unë jam Olsa dhe ai aty është Haski, vëllai im katërkëmbësh. E kam marrë kur ishte vetëm 3 muajsh. Në atë periudhë nuk kisha ndërmend të merrja një qenush. U futa në dyqanin e kafshëve për të blerë një peshk dhuratë.

Haski qëndronte i lidhur jashtë, e përkëdhela pak dhe kur po largohesha, sytë e Haskit më thonin: ME MERR DHE MUA!

Nuk i rezistova dot dhe e mora. Që nga ajo ditë Haski është fëmija më i përkëdhelur i familjes. Ai është si beb i vogël, kërkon vëmendje dhe secili prej nesh gjen kohë për t’iu dedikuar atij.

Sot e kam pushim. Po marr në telefon të sjellin Lunën dhe po shkojmë në Durrës. Meqë ra fjala, Luna është e dashura e Haskit.

Ka dy javë që nuk janë takuar. Sapo dëgjon zërin e saj, Haski nuk përmbahet. Del në dritaren e pallatit dhe fillon të kthejë përmbys të gjithë shtëpinë.

Haski ka shumë qejf detin. Gjëja e parë që bën kur shkon në plazh është të futet në det me vrap. Por, derisa i takojnë këmbët. Nëse e sheh se është më larg seç duhet, kthehet në breg me të katra.

Cfarë dite sot! Cuni është bërë gjithë kripë nga deti. Do i bëj dush që ta zejë gjumi rehat.
 
Kujdesem për të aq sa nuk kujdesem për veten. E gjithë dita ime kushtëzohet nga ai. E megjithatë e dua shumë dhe e bëj me shumë dëshirë, njëlloj si të ishte dita e parë. Ja kështu bën sa herë që e kreh: përkëdhelet dhe ndonjëherë bën indiferentin.

Tani të erdhi radha për t’u veshur. Të pëlqen kjo? Joo eee…po kjo tjetra???…Hajde veshim të kuqen se të shkon më shumë.

Prit pak!

Tani u bëmë si vëllezërit Bluz, të dy me të kuqe. Nuk di si do ia bëja nëse nuk do të të kisha marrë atë ditë.

Top Channel