Buffon: Milanezet mbeten favorite për titullin

04/10/2011 17:35

Portieri i Juventusit dhe kombëtares italiane, Gianluigi Buffon, qëndron me këmbë në tokë pavarësisht fitores prestigjioze përballë kampionëve të Italisë, Milanit.

Në një intervistë për të përditshmen sportive “La Gazzetta dello Sport”, Buffon u shpreh se pavarësisht kryesimit të përkohshëm të skuadrës së tij në renditjen e Serisë A, dy klubet milaneze vazhdojnë të mbeten pretendentet kryesore për fitimin e titullit kampion.

“Ditën e dielë, në fitoren përballë Milanit, bëmë një prej ndeshjeve më të mira të sezonit. Ishte një fitore emocionuese dhe që i jep skuadrës shumë morale, por në të njëjtën kohë jemi realistë dhe e dimë që dy skuadrat milaneze vazhdojnë të kenë më shumë armë se ne”, u shpreh Buffon.

“Nuk duhet të fluturojmë dhe është e rëndësishme të punohet me përultësi dhe duke pranuar se Milan e Interi vazhdojnë të jenë më të fortë. Do të vendosja kuqezinjtë si favoritët kryesorë për titullin pasi janë kampionët në fuqi, por është e qartë që edhe Interi ndodhet në të njëjtin nivel”.

Portieri i Italisë në 108 ndeshje, komentoi edhe dy sfidat e ardhshme të katër herë kampionëve të botës përballë Irlandës së Veriut dhe Serbisë, në garën kualifikuese për EUropianin e Polonisë dhe Ukrainës.

“Pas arritjes së kualifikimit në ndeshjen e fundit, edhe pse këto ndeshje nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe për ne, duam që të mbetemi të pathyer deri në fund.

Ndryshe nga sa shkruhet në shtyp, nuk mendoj se ky është momenti ideal për të eksperimentuar, pasi deri në Europian është e rëndësishme të formohet një grup i bashkuar dhe kjo mund të realizohet vetëm duke perfeksionuar mekanizmat në lojën së bashku”.

Top Channel