Vidatoks, medikamenti i “shpresës”

03/10/2011 23:45

Deri para pak muajsh udhëtonin deri në Kubën e largët, ndërsa tani ilaçin “e shpresës” mund ta gjejnë në Shqipëri. Vidatoks është medikamenti kundër tumorit, që ka ndezur një debat të ashpër në Itali, nga ku çdo ditë rreth 10-20 shtetas kapërcejnë Adriatikun për të injektuar helmin “magjik” të akrepit të kaltër.

Por çfarë është Vidadoks dhe ç’lidhje ka vendi ynë me medikamentin e prodhuar në Kubë i cili është i ndaluar në SHBA e Bashkimin Europian? Vidatoks ose ndryshe Eskozul është një kurë e zbuluar rreth 30 vite më parë dhe që prej prillit të këtij viti italianët, por edhe kosovarët, boshnjakët e rumunët po e gjejnë në vendin tonë.

Në një seri shkrimesh dhe reportazhesh të botuara dje nga e përditshmja italiane “Corriere della Sera”, bëhet e ditur se shtetasit e vendit nga Gadishulli Apenin nuk po udhëtojnë më drejt Kubës (ku Vidatoksin mund ta gjesh për vetëm 160 euro, por udhëtimi kushton më shumë) dhe i kanë kthyer sytë nga një klinikë në Tiranë, tek e cila mund bësh trajtimin me helmin e akrepit të kaltër për rreth 1000 euro.

Gjithçka u zbulua pas arrestimit në Bari të një shtetasi italian që po udhëtonte nga Shqipëria drejt vendit fqinj pesë ditë më parë dhe që kishte në një valixhe frigoriferike 236 kapsula me Vidatoks. Ai ishte nisur drejt San Marinos, ku medikamenti nuk është ligjërisht i ndaluar ashtu si edhe në vendin tonë.

Pas kësaj, gazeta italiane dërgoi në Tiranë reporteren Lorena Saraçino, e cila në reportazhin e botuar të dielën zbuloi detaje interesante për “udhëtimin dhe medikametin e shpresës”.

“Larg Europës moderne, në një vend ku një vakt kushton 10 euro dhe ku ende duhen shkruar ligje e shpikur rregulla, ekziston një cep ku mund të përjetosh dhimbjen dhe shpresën”, shkruan ajo. Deri tani rreth 400 puljezë e kanë vizituar klinikën në kryeqytetin tonë, por nuk mungojnë as romanët, siçilianët e milanezët.

“Për disa ky medikament funksionon, për disa të tjerë jo. Por shpresa është ajo që i sjell të gjithë këtu”, thotë një taksist që punon pranë klinikës. “Kurës i nënshtrohen pacientët që nuk arrijnë të përballojnë më kimioterapinë. Nuk shëron, është një trajtim lehtësues, anti-tumorial dhe që rrit imunitetin e trupit”, shpjegon recepsionistja e klinikës në kryeqytet.

Megjithë thirrjes së Ministrit italian të Shëndetësisë, Ferruço Facio, për të hequr dorë nga ilaçi apo udhëtimi i shpresës, çdo ditë dhjetëra shtetas të vendit fqinj vizitojnë Shqipërinë, vendin ku është ende e mundur të shpresosh.

Top Channel