Dorian Koci – Njëzet vjet më parë, në datën 2 tetor 1991, pas një absurditeti të
pakuptimtë edhe për vetë botën komuniste (pasi të gjitha vendet e ish-
kampit socialist në Europë kishin marrëdhënie diplomatike me SHBA-të),
absurditet që zgjati 45 vjet me radhë, në Shqipëri u rihap ambasada
amerikane, pas rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike më 21 mars 1991.

E gjendur në fillimet e veta të normalizimit të jetës demokratike pas aksidentit të dhimbshëm dhe të vështirë historik të mbizotërimit të dogmës komuniste në jetën e vet publike dhe shoqërore, Shqipëria gjeti shumë shpejt në SHBA një vend mik dhe aleat që filloi të kontribuojë shumë në ndërtimin e institucioneve demokratike në vend dhe ushtrimin e drejtpërdrejtë të demokracisë liberale. Por ndonëse ky afrim dhe mbështetje mund të tingëllonte pak i çuditshëm për vëzhguesit e jashtëm pas retorikave të ashpra të sistemit komunist ndaj SHBA-së dhe vlerave që ajo mbarte, ky qëndrim dashamirës dhe mik i SHBA-së ndaj Shqipërisë nuk ishte i çuditshëm dhe i ri për shqiptarët që kishin një memorie historike.

SHBA-të kishin qenë një nga vendet ku kishte pasur dhe vazhdonte të kishte një emigracion të fortë të shqiptarëve, të cilët të organizuar në shoqërinë “Vatra”, kishin kontribuar shumë në pavarësinë dhe stabilitetin e shtetit shqiptar. Nga SHBA-ja kishin ardhur idetë në vitet 20’, ku Shqipëria kish eksperimentuar për herë të parë me zgjedhjet e lira dhe demokratike përmes veprimtarisë dhe publicistikës së dy nga korifenjve të ”Vatrës”, Fan Noli dhe Faik Konica, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në mendimin politik, filozofik dhe kulturor të Shqipërisë. Por ndihma e SHBA-së nuk kish konsistuar vetëm në transmetimin e ideve, apo dhe më herët në ndihmën e dhënë për përhapjen dhe lëvrimin e gjuhës shqipe nëpërmjet rrjetit të tyre protestant në Korçë e Manastir, por dhe në ndihmë të drejtpërdrejtë si në rastin e Konferencës së Paqes në Paris, më 1919-1920, ku plani prej 14 pikash i Presidentit Thomas Woodrow Wilson (1856-1924) u bë ombrella mbrojtëse për ruajtjen territoriale të Shqipërisë, vazhdimësinë politike dhe stabilitetin e saj. Madje, edhe në vitet e vështira të diktaturës komuniste, ku vendet kishin qenë në dy kampe të kundërta politike, sa herë që ishte diskutuar tërësia territoriale e Shqipërisë nga fqinjët e vet problematikë dhe të mbushur gjithë pasione shoviniste, SHBA-ja qoftë në Konferencën e Paqes, më 1946 apo dhe më vonë në kuadrin e doktrinave të NATO-s, kishin vënë veton për të përmbysur këto plane të mbrapshta, pasi për to si në fillim të viteve 20’ apo dhe në vitet 60’ e deri tani stabiliteti i Shqipërisë ishte dhe mbetet një paritet kryesor i politikës së jashtme të tyre. Ky fakt është dëshmuar jo vetëm që gjatë gjithë ekzistencës së shtetit shqiptar, por dhe në aksionin e madh që ndërmori NATO në vitin 1999 për të ndaluar gjenocidin serb ndaj Kosovës, aksion që solli lirinë për shqiptarët dhe riformatoi sërish ekuilibrin e forcave në Ballkan në formimin e shtetit më të ri të Europës – Kosovës.

Kjo është një nga arsyet që popullata shqiptare në Ballkan, edhe pse nuk ka qenë përfituese në ndihma ekonomike të tipit të “Marshall”, duke qenë se ka vlerësuar shumë lirinë e vet politike si parakusht dhe për mirëqenien ekonomike është një nga popullatat me përqindje më të lartë pro-amerikane në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Në këtë dashamirësi të shqiptareve ndaj SHBA-së nuk ka ndonjë sentiment të tepruar e servil, siç mund të dëgjohet lart e poshtë nga anti-globalistë të rinj apo ideologë që zbulojnë të majtën europiane të viteve 60’ në vitet 2010. Ajo që në fakt duket si adhurim i tepruar i shqiptarëve ndaj SHBA-së, në fakt manifestohet tek klasa politike shqiptare, e cila rezulton në shumë raste të mos kenë qenë partnerë të barabartë dhe të denjë të principeve dhe politikës së SHBA-së në rajon. Ndihma dhe faktorizimi që SHBA-të u kanë afruar shqiptarëve është keqpërdorur shpeshherë nga klasa politike e Shqipërisë si patericë për të qëndruar më shumë në pushtet dhe për të keqqeverisur sesa për të stabilizuar demokracinë e brendshme dhe aq më tepër, për ta përçuar atë në popullatat e tjera shqiptare në rajon. Shembulli i zgjedhjeve në Kosovë, Shqipëri apo dhe bojkoti i parlamentit në Maqedoni nën shembullin shqiptar, i ka zhgënjyer jo rrallë partnerët tanë strategjikë të cilët kanë më se njëzet vjet që japin garancitë e tyre për mbarëvajtjen e demokracisë në popullatat shqiptare në Ballkan, por ajo që marrin si përgjigje janë këto sjellje fëmijnore që dëshmojnë infantilitetin e klasave tona politike.

Ndihma e ofruar nga SHBA-ja konsiston në të njëjtat parime demokratike dhe plane afatgjata për të kontribuar për stabilitetin në rajon, ndaj asnjë faktor politik nuk duhet të mërzitet apo ta quajë të tepërt këshillimin e tyre në problemet e brendshme të demokracisë në Shqipëri. Mesazhi i tyre ka qenë gjithmonë i hapur dhe i çiltër si në vitet 20’, ku nëpërmjet aktivistëve të “Vatrës” kontribuonin në themelimin e jetës demokratike Shqipëri; në 1946, kur e këshillonin qeverinë komuniste të kohës të organizonte zgjedhje të lira si kusht kryesor për prosperitetin e vendit; sërish në vitet ‘90 për zhvillimin e  zgjedhjeve të lira dhe demokratike e tashmë në dhjetëvjeçarin e shekullit XXI, me respektimin e institucioneve. Kjo qëndrueshmëri e tyre ndaj vendit të vogël dhe aleat, që jo rrallë ka ndezur xhelozira tek fqinjët, duhet përshëndetur dhe jo anatemuar pasi për një vend si Shqipëria, që njëzet vjet më parë ishte një ishull i vetmuar i marrëzisë komuniste, është një fat politik të ketë këtë mbështetje politike nga SHBA-ja si fuqia e vetme dhe njëkohësisht demokratike në botë.

Në intervistën e dhënë ditën e enjte gazetarit Fevziu, ambasadori amerikan, Arvizu lançoi aksionin më të fundit politik të përkrahjes amerikane në Shqipëri, që do të konsistojë në ringjalljen e shoqërisë civile e cila vuan dhe ajo po të njëjtat probleme si dhe politika shqiptare. Sërish SHBA-të po përpiqen që etheve të larta të politikës dhe shoqërisë shqiptare t’i gjejnë ekuilibrat e duhur të paqes dhe harmonisë sociale. Komentet e ambasadorit për celulën antiamerikane në Shqipëri nuk i përkisnin një strategjie dhe orientimi të mirëfilltë politik, si ka qenë dhe është në vendet e Europës Perëndimore, por më tepër janë rezultat i pleksjes së çuditshme të politikës dhe të interesave të ngushta ekonomike që kanë lindur pas viteve 90’ dhe që vazhdojnë ende të kontaminojnë jetën publike shqiptare. Për fat të keq, ajo çka komentoi ambasadori Arvizu, për porosi artikujsh dhe bashkëpunim të botës së politikës dhe biznesit shqiptar me struktura të dyshimta të vendeve që dëshirojnë vetëm të pasurohen në shanset e reja ekonomike në Shqipëri, kanë brenda vetes të vërteta të hidhura, prandaj jeta publike dhe shoqëria civile duhet të fillojë të reformohet për të luajtur rolin si pushtet i katërt, që do të ndihmojë të reformohen dhe tria pushtetet e tjera. Ajo çka vërtet Shqipëria mund t’i ofrojë SHBA-së në shenjë mirënjohjeje për këtë ndihmë që po ja jep në të gjitha fushat e jetës, nuk është dërgimi i trupave në Irak dhe Afganistan, si rëndom dëgjohet nëpër korridoret e politikës shqiptare, por stabilizimi dhe konsolidimi i demokracisë në vend nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve jo problematike dhe të kontestueshme nga palët dhe faktorizimi në politikën rajonale në Ballkan. Në këtë mënyrë do të dimë vërtetë t’u jemi mirënjohës miqve tanë, duke luajtur rolin që ata dëshirojnë për ne, por dhe do të jetë dhe një përfitim i madh për vendin tonë, pasi nëpërmjet kësaj rruge Shqipëria do të përparojë duke u zhvilluar politikisht dhe ekonomikisht.

Gazeta “Shqip”

Top Channel