Irak, mbyllet me gjakderdhje pengmarrja

03/10/2011 17:15

Një sulm i rebelëve ndaj një kompleksi qeveritar në perëndim të Irakut ka përfunduar me të paktën nëntë persona të vdekur, përfshirë gjashtë atentatorët.

Atentatorët ishin veshur me uniforma policie para se të sulmonin kompleksin në Al Bagdadi, 150 kilometra në veri të kryeqytetit iraken.

Të paktën tre persona që ishin marrë peng nga rebelët mbetën të vrarë. Pengjet ishin oficerë policie dhe civilë. Madje dyshohet që një prej tyre të jetë një zyrtar i lartë i policisë.

Dy nga gjashtë rebelët ishin atentatorë vetëvrasës, që u hodhën në erë në hyrje të kompleksit, ndërsa të tjerët hapën zjarr sapo hynë në ndërtesë.

Ende nuk dihet nëse pengjet u vranë gjatë sulmit fillestar, apo gjatë luftimeve që erdhën pasi ushtarët zyrtarë rimorën nën kontroll ndërtesën.

Kryetari i bashkisë së Al Bagdadit tha për Associated Press se, sapo dëgjoi të shtënat mori celularin dhe u fsheh në tualet.

“Disa nga terroristët hynë në zyrën time, morën telefonin fiks kur ai po binte dhe thanë: “Ne jemi luftëtarët e Shtetit Islamik të Irakut”’, ka treguar Muhanad Zbar Mutlaq.

Autoritetet irakene deklaruan se menjëherë sapo përfundoi sulmi i parë, rebelët sulmuan një stacion policie në Dolab, rreth 15 kilometra larg. Por këtu ata u zmbrapsën dhe dy prej tyre u vranë.

Dhuna në Irak ka pësuar rënie që nga vitet 2006 dhe 2007 kur arriti kulmin, por sulmet, kryesisht vetëvrasëse, vazhdojnë të jenë të pranishme.

Fenomen shqetësues mbetet dhuna ndëretnike, mes militantëve islamikë sunitë dhe atyre radikalë shiitë, që kryejnë atentate pothuajse cdo ditë.

Ditën e premte një shpërthim ndodhi në afërsi të qytetit të Hilës, ku gjatë një ceremonie mortore mbetën të vrarë 17 pelegrinë shiitë.

Rreth dy javë më parë, një autobombë shpërtheu në një restorant të përdorur nga forcat e sigurisë po në Hila, duke lënë të vdekur 15 persona.

Ndërsa dy ditë para kësaj ngjarjeje, 22 pelegrinë shiitë u ekzekutuan në perëndim të Irakut, në rajonin e shkretëtirës, të populluar me sunitë.

Top Channel