Bullgari, protestë kundër komunitetit rom

03/10/2011 15:45

Rreth 2 000 bullgarë u bashkuan ditën e sotme në një manifestim madhor kundër komunitetit rom, në qendër të kryeqytetit, Sofje,  Sipas organizatorëve të kësaj demonstrate, ajo nuk ka sfond racist, por është mbledhur për të “protestuar kundër lidhjeve të komunitetit rom me krimin e organizuar”.

Prej një jave, një fushatë anti-rome ka nisur në vendin ballkanik, pasi një i ri mbeti i vrarë pasi u përplas nga një makinë e drejtuar prej të afërmve të drejtuesit më të lartë të komunitetit në vend. Presidenti i vendit, Georgy Parvanov, ka bërë një thirrje për të ndërprerë atë që ai e cilësoi si një “gjuhë të urrejtjes”.

”Jemi duke protestuar përballë një komuniteti parazitar, kundër mafias dhe praktikës së mosndhëshkimit të korrupsionit”, u shpreh një prej drejtuesve të manifestimit. Protesta shkaktoi mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Bullgaria, edhe në të shkuarën ka patur probleme me respektimin e të drejtave të minoriteve. Komuniteti rom është një prej pakicave më të mëdha në vend dhe që prej kohës së sistemit komunist, ai vazhdimisht ka qenë i margjinalizuar në jetën politike dhe ekonomike të vendit.

Përplasjet më të këqija që prej hiperinlacionit të vitit 1997 po ndodhin në prag të zgjedhjeve presidenciale të 23 tetorit, të cilat konsiderohen si përcaktuese për të ardhmen e një prej vendeve më të varfëra brenda Bashkimit Europian.

Top Channel