Budapesti zyrtar ka kërcënuar Beogradin se do të bllokojë anëtarësimin e tij në BE nëse nuk rishikon ligjin për minoritetet, ku diskriminohet pakica hungareze.
“Jemi plotësisht të përkushtuar për anëtarësimin e Serbisë në BE, por ai nuk do të bëhet realitet nëse marrim parasysh ligjet që shkelin të drejtat e njeriut”, ka deklaruar zëvendëskryeministri hungarez, Zlot Semjen.
Semjen ka nënvizuar se, Budapesti do të detyrohet të rishqyrtojë mbështetjen për kandidimin e Serbisë në BE, nëse Parlamenti i këtij vendi nuk ndryshon pjesët e ligjit për minoritetet.
Konkretisht qeveria hungareze kërkon që edhe pakicës hungareze në Serbi, në bazë të ligjit për dëmshpërblimin, t’i mundësohet kompensimi, ashtu sikurse do të ndodhë me pakicat e tjera.
Më 26 shtator Parlamenti serb miratoi ligjin për kthimin e pasurisë së konfiskuar nga regjimi komunist pas Luftës së Dytë Botërore.
Ligji në fjalë përjashton rreth 350 mijë serbë me etni hungareze, me argumentin se trashëgimtarët e forcave pushtuese nuk mund të kenë të drejtën për kompensim.
Top Channel