Angli, nis procesi Abramovich-Berezovsky

03/10/2011 17:00

Një proces gjyqësor që përfshin dy prej njerëzve më të pasur në botë nisi ditën e sotme në Londër, me dëgjimin e dëshmisë së Boris Berezovsky-t, i cili akuzoi manjatin tjetër rus, Roman Abramovich për kërcënim, prishje të paligjshme të kontratave dhe vjedhje të sekretit industrial.

Sipas Berezovsky-t, Abramovich përdori influencë politike dhe metoda kërcënuese për të përvetësuar një pjesë të madhe të aksioneve të firmës së tij “Sibneft”, për një dëm total të shkaktuar ndaj tij prej 3,2 miliardë stërlinash.

Pronari i klubit të Çelsit dhe manjati i çelikut, Abramovich, ka mohuar akuzat e ish-ortakut të tij të biznesit. A i shiti pjesën e tij të aksioneve të “Sibneft”-it kompanisë gjigante shtetërore “Gazprom” menjëherë pasi i bleu në vitin 2005, në një operacion nga i cili fitoi disa miliarda euro.

Nëpërmjet kësaj marrëveshje, shteti rus vendosi një monopol të plotë në vend mbi kontrollin e naftës dhe të gazit, ndërsa Abramovich u shndërrua në një prej njerëzve më të pasur të planetit, me një pasuri totale prej 10,3 miliardë stërlinash.

Sipas dëshmisë së Berezovskyt, ai ishte i lidhur në një miqësi të ngushtë me Abramovich, deri në momentin kur ai vendosi të kthente orientimin e tij drejt “Kremlinit”. Një vendim përfundimtar për gjyqin pritet të jepet pas më shumë se dy muajsh.

Top Channel