Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci ka deklaruar se me ndërhyrjen në
veri të Kosovës kanë ndodhur një sërë ndryshimesh të mëdha dhe pozitive.
Në një intervistë për RTK, Thaci ka nënvizuar se gjendja në veri nuk do të kthehet si ajo e mëparshme dhe as do të krijohet status kuoja.
“Në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë do të vendoset rendi dhe ligji edhe në veri”, ka theksuar Thaci.
Ndër të tjera, kryeministri ka përgënjeshtruar zërat për synimin e tij për të garuar për postin e presidentit të Kosovës vitin e ardhshëm.
“Unë kam një kontratë me qytetarët që më kanë dhënë besimin në zgjedhje dhe këtë kontratë si kryeministër i vendit e respektoj plotësisht”, ka theksuar Thaci.
Më tej, ai ka kritikuar lëvizjen Vetëvendosje për rrëzimin e kamionit me mallrat serbe dhe ka bërë të ditur se disa deputetë të kësaj partie i kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj planit për veriun.
Thaci ka konfirmuar gjithashtu takimet sekrete me presidentin serb Boris Tadic, por ka nënvizuar se, “persona të tjerë kanë qenë më pranë tij në kohën kur PDK ka qenë në opozitë”.
Thaci: Do vijojmë planin operacional
Të njëjtin mesazh Thaci dha edhe disa ditë më parë, kur i sapokthyer nga Nju Jorku, u shpreh i vendosur për të përfunduar punën e nisur në veri.
Ai deklaroi se do të vazhdohet me largimin e barrikadave dhe me zbatimin e planit operacional.
Thaci komentoi edhe plagosjen e 4 ushtarëve dhe disa serbëve në pikën kufitare në Jarinjë të Leposavicit, duke thënë se, “të martën ndodhi ajo që nuk do të duhej të ndodhte”.
“Do vijohet me përgjegjësitë për implementimin e planit operacional. Do vijohet me heqjen e barrikadave dhe nuk do ketë asnjë pengesë që do bllokojë vendosjen e rendit dhe ligjit në veri”, deklaroi Thaci.
Ai dënoi dhunën e ekstremistëve serbë ndaj KFOR-it dhe EULEX-it, dhe u bëri thirrje banorëve serbë që të tregojnë vullnet për bashkëpunim.
Kryeministri kosovar ritheksoi gjithashtu mbështetjen që liderët ndërkombëtarë në Nju Jork dhanë për tërësinë territoriale të Kosovës.
Top Channel