Trupat e KFOR-it në Kosovë kanë zgjeruar zonën e sigurisë në pikën kufitare të Jarinjes, ku dhe kanë hequr një barrikadë të vendosur nga banorët serbë.
Sipas mediave kosovare, ushtarët e KFOR-it nuk kanë lejuar që të afrohen përfaqësuesit e UNMIK-ut, të cilët do t’u transmetonin qëndrimet e qytetarëve.
Burimet shtojnë se pika kufitare numër 1 mbetet e mbyllur dhe e rrethuar me tela me gjemba në një sipërfaqe prej rreth 500 metrash.
Në kuadër të operacioneve për vendosjen e sigurisë në veri, trupat e KFOR kontrolluan për herë të parë pasditen e së enjtes trenin me udhëtarë të aksit Kralevë-Zvecan.
Mediat kosovare njoftuan se treni u ndalua para tunelit të vendkalimit kufitar të Jarinjes dhe u kontrolluan të gjithë udhëtarët e tij, pa asnjë përjashtim.
Ndërsa ditën e martë, në mbrëmje, ushtarët ndërkombëtarë u përfshin në një incident me disa serbë, të cilët hapën zjarr ndaj disa shqiptarëve në Lagjen e Boshnjakëve, në vendin e quajtur Qeshmellug.
Ndaj të shtënave trupat e KFOR reaguan me plumba gome, të cilët lënduan agresorët serbë. Ngjarja shkaktoi shumë reagime, si nga pala serbe, nga SHBA, BE, NATO, etj.
Edhe Ministria e Jashtme ruse doli me qëndrimin e saj, duke shprehur shqetësimin për sigurinë e serbëve të Kosovës, si dhe mbështetjen ndaj Serbisë.
Situata e tensionuar në veri të Kosovës po zgjatet tej mase, aq sa ministri i Brendshëm kosovar Bajram Rexhepi e cilësoi atë si “të padurueshme”.
Top Channel