Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, gjatë takimit me kryeministrin turk Rexhep Taip Erdogan kërkoi nga ky i fundit ndihmën e Turqisë sa i përket anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.
Ahmeti e ka njoftuar kryeministrin turk edhe për zhvillimet e fundit në vend, për raportet ndëretnike, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe çështjen e emrit. Në këtë takim janë shtjelluar edhe tema ekonomike.
“Kam kërkuar që Turqia si një fuqi mjaft e madhe ekonomike, të investojë në Maqedoni, të inkurajojë investitorët turq, që ato këtu të sjellin kapitalet e tyre, investimet e tyre. Kam siguruar kryeministrin se nuk do të ketë vështirësi burokratike, por do përpiqemi dhe do të punojmë që të gjitha lehtësirat ligjore t’i krijojmë në kuadër të shtetit duke respektuar gjithmonë ligjet”, tha Ahmeti.
Ndërkaq, lideri PDSH-së opozitare, Menduh Thaci, e ka shfrytëzuar takimin me kryeministrin Erdogan për ta njoftuar atë me problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Maqedoni.
“Tregova hallet dhe sikletet që i kanë shqiptarët në këtë shtet. Gjithë manipulimi i qeverisë kinse Maqedonia ngritet si shtet multietnik nuk është e vërtetë, këtu ngritet një shtet etnik i maqedonasve dhe kultivohet vetëm një kulturë, ajo është kultura sllavo-ortodokse”, u shpreh Thaci.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Maqedoni, Erdogan do të vizitoj Tetovën dhe Gostivarin, ndërsa vizitën e tij në Maqedoni do ta mbyll në Ohër.
Top Channel