Kryeministri grek, Jorgo Papandreu tha pas takimit me presidentin francez Nikolas Sarkozi, se Greqia është e angazhuar të vërë në zbatim planin e masave në këmbim të ndihmës europiane.
“Dua ta bëj të qartë se Greqia është e vendosur, une dhe qeveria jonë, populli grek janë të vendosur për të bërë ndryshimet e nevojshme. Ne po bëjmë sakrificat dhe do të veprojmë sipas vendimeve që kemi marrë, përgjegjësite tona, duke kryer të gjithë reformat e nevojshme, sepse ne duam të ndryshojmë Greqinë dhe ta bëjmë një vend konkurues, social të drejtë dhe transparent”, deklaroi kryeministri grek, Papandreu.
Pas takimit me kryemistrin grek, presidenti francez Nikolas Sarkozi u shpreh:
“Une e di që populli grek ka vuajtur shumë në muajt dhe javët e fundit. Por përgjatë viteve, reformat janë shtyrë dhe zakonet e këqija i zunë vendin, Kryeministri grek më garantoi për vendosmërinë e plotë të qeverisë greke për të bërë realitet angazhimet e marra”.
Sarkozi shpjegoi se do të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel, në ditët e ardhshme për të diskutuar për cështjen e borxhit të Greqisë duke e cilësuar ndihmën për këtë vend një obligim moral për Europën.
Top Channel