Në vizitat e mëparshme Albin Kurti e ka vizituar Tiranën si lider i Vetëvendosjes. Ndërsa mesditën e së Premtes për herë të parë ai është takuar me presidentin Bamir Topi dhe ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, si kryetar i komisionit të politikës së jashtme në Parlamentin e Kosovës.
Qëllimi primar i vizitës ishte inicimi një marrëveshjeje mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për përfaqësim reciprok, ose të përbashkët në vendet e treta.
“Ne si komision i politikës së jashtme kemi propozuar përfaqësimin reciprok ose të përbashkët, në mënyrë që të koordinohemi dhe Kosova të përfaqësohet nga ambasada shqiptare aty ku nuk ka ambasadën e saj”, ka deklaruar Kurti.
Albin Kurti i ka kërkuar presidentit Topi dhe ministri Haxhinasto për të qenë më të kujdesshëm në marrëdhëniet me Beogradin.
“Tani që Serbia është më e dhunshme me Kosovën, Shqipëria s’duhet të krijojë lidhje me Beogradin, pasi ai do t’i paraqesë Shqipërinë dhe Kosovën si dicka të ndryshme”, ka nënvizuar Kurti.
Duke komentuar zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, zoti Kurti tregon shkaqet që cuan në tensionimin e situatës.
“Mendoj se me bisedimet në Bruksel, pa kushte për Serbinë dhe për cështje të brendshme të Kosovës, është inkurajuar Serbia për dhunën në veri. Ajo synon ta bëjë veriun pjesë të bisedimeve përmes dhunës që po ushtron atje. Qeveria e Kosovës s’ka qenë serioze në këto bisedime, ajo është obsesionuar dhe është kufizuar tek integriteti i kufijve dhe jo i territorit. Ajo ka pasur një hap pa strategji dhe një gjest politik pa plan. Ajo e ka fiksimin tek pushtetmbajtja”, ka theksuar Kurti.
Për liderin e Vetëvendosjes përpjekjet e qeverisë së zotit Thaci dhe forcave të EULEX-it për të vënë nën kontroll veriun janë të pamjaftueshme.
Top Channel