PS: Ulni taksat e karburanteve

29/09/2011 21:10

Partia Socialiste i propozoi qeverisë të ulë taksat mbi karburantet për të lehtësuar buxhetet e familjarëve të goditur nga kriza.

“Të hiqet taksa e karbonit. Së dyti meqenëse çmimi i naftës në tregun botërore që nga 2005-a është dyfishuar TVSH për këtë produkt kur ai përdoret për mjetet e transportit publik, ngrohjen e shkollave apo spitaleve, bujqësisë apo peshkimit, të mund të reduktohet”, është shprehur deputetja e PS-së Mimi Kodheli.

Ajo tha se krahasuar me 2005-n shqiptarët paguajnë vetëm për karburantet mbi 340 milionë dollarë taksa më shumë në vit.

Rritja e fundit e barrës mbi këto produkte që qeveria bëri në verë, sipas saj, do të ketë efekte shkatërruese mbi buxhetet e familjeve.

Por ministri i Financave tha se fakti që qeveria mbledh më shumë taksa në buxhet nuk ka ardhur për shkak të rritjes së tyre, por për një tjetër arsye.

“Ju keni zhdoganuar 275 mijë tonë karburante dhe tani zhdoganohet 450 mijë tonë karburante. Ju tregtuat 320 mijë tonë karburante, tani tregtohen 650 mijë tpnë karburante në tregun tonë”, theksoi Bode.

Bode pretendon se qytetarët nuk do të paguajnë më shumë shtetit nga ndryshimet e fundit të taksave mbi karburantet, por përkundrazi.

Në verë qeveria hoqi, taksën e importit të automjeteve të përdorura duke e zëvendësuar ate me një taksë të përvitshme që paguhet gjatë kontrollit teknik si dhe një taksë të re shtesë mbi karburantet, që e rrit cmimin me 8.4 lekë për litër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA