Konkurrenca: Problem përdorimi i kasave

29/09/2011 08:45

Një hetim i Autoritetit të Konkurrencës ka bërë të mundur evidentimin e shumë rasteve nga biznesi që nuk përdor kasën fiskale.

Objekt i vëzhgimit të Autoritetit janë çmimet dhe kasa fiskale është mjeti i duhur që ndihmon në vërtetësinë e vlerës së mallit.

Rasti tipik u zbulua me prodhuesit e bukës në Vlorë, të cilët kishin vendosur të rrisnin çmimin me 20 lekë, aq sa detyruan Autoritetin e Konkurrencës të niste hetimin.

“Gjatë inspektimeve rezultoi se shumë subjekte nuk deklarojnë saktë shitjet e kryera, duke mos lëshuar kuponin tatimor për të gjitha shitjet. Referuar kuponëve tatimorë, vihet re se disa subjekte në orët e pasdites kanë lëshuar kuponë me kërkesën e inspektorëve të Autoritetit të Konkurrencës vetëm 4, 6, 8 apo 11 kuponë tatimorë, çka tregon qartë shkallën e lartë të informalitetit”, tha një burim zyrtar i Autoritetit.

Sipas institucionit, sjellja e biznesit, përbën konkurrencë të pandershme ndaj prodhuesve të bukës që i deklarojnë saktë të gjitha shitjet e kryera, si dhe deformon analizën e konkurrencës së këtij tregu.

Komisioni i Konkurrencës në datë 07.04.2011 mori vendimin nr. 185 “Për marrjen e masave të përkohshme për ndalimin e marrëveshjes në tregun e prodhimit dhe tregtimit të bukës në qytetin e Vlorës”, duke konsideruar dëmin që mund t’i shkaktohej konsumatorëve të qytetit të Vlorës nga sjellja antikonkurruese e prodhuesve dhe tregtuesve të bukës.

Komisioni i Konkurrencës vlerëson se marrëveshja për rritjen dhe fiksimin e çmimit të bukës masive, e realizuar nga ndërmarrjet nën hetim, përbën një shkelje të rëndë të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, pasi kjo marrëveshje kufizon konkurrencën në këtë treg.

Si konkluzion, Komisioni i Konkurrencës vendosi të gjobisë në shumën 10 mijë lekë, 16 ndërmarrjet që kanë zbatuar marrëveshjen për fiksimin e çmimit, por kanë ndaluar shkeljen e ligjit pas vendimit të Komisionit të Konkurrencës për masat e përkohshme, si dhe me 20 mijë lekë gjobë 4 ndërmarrjet që nuk kanë respektuar vendimin e Komisionit të Konkurrencës për masat e përkohshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA