Kinë, laboratori hapësinor gati për nisje

29/09/2011 00:00

Kina po bëhet gati të lëshojë laboratorin e parë të saj hapësinor
“Tiangong-1”. Moduli cilindrik, i gjatë 10.5 metra, këtë herë nuk do të
ketë asnjë astronaut. Ata do ta vizitojnë atë vitin e ardhshëm.

“Tiangong-1” do të tregojë nevojën kritike të Kinës për teknologji të avancuar, me qëllim ndërtimin e një stacioni hapësinor tërësisht të ri, gjë të cilën qeveria ka premtuar se do ta realizojë brenda dekadës.

Laboratori hapësinor do të dërgohet në orbitë përmes një rakete. Mediat shtetërore kineze njoftojnë se nisja nga Qendra Satelitore Jiquan, në provincën Gansu, pritet të ndodhë rreth orës 21:16-21:31 me orën lokale, ose 13:16-13:31 me orën tonë.

Raketa “Long March 2F” do ta cojë laboratorin në një lartësi prej disa qindra kilometrash larg sipërfaqes së Tokës. Ai do të veprojë në mënyrë autonome dhe do të monitorohet nga toka.

Më pas, brenda pak javësh, Kina do të lëshojë një anije hapësinore, “Shenzhou 8”, dhe do të përpiqet ta lidhë atë me laboratorin.

Ky takim do të shërbejë si test për aftësinë e kinezëve për të montuar edhe pjesë më të mëdha në hapësirë.

Komentatorët deklarojnë se teknologjia ruse, ose një pjesë e kopjuar prej saj, do të përdoret për të dërguar në orbitë dy objektet.

Nëse gjithcka shkon mirë, në vitin 2012 drejt laboratorit do të dërgohen edhe astronautët, të cilët do të qëndrojnë atje për dy javë.

Top Channel