Cana, titullar në rolin natyral

29/09/2011 00:00

Pas një prove jo të mirë në ndeshjen debutuese me Lacion në Serinë A,
Lorik Cana ka mundësinë më të mirë sot për të treguar cilësitë në Europa
League, ku do të luajë që nga minuta e parë si mesfushor shkatërrues në
Lisbonë ndaj Sportingut vendas.

Në sfidën ndaj Palermos këtë javë, treshja fillestare e mesfushës e formuar nga Ledezma, Matuzalem dhe Cana ishte shumë statike. Pritej më shumë nga mesfushori shqiptar, por gjithashtu është e vërtetë që ish-futbollisti i Gallatasarait ka një strukturë fizike të rëndë dhe për shkak të dëmtimeve i është dashur të stërvitet dyfish, për të arritur shokët e skuadrës nga pikëpamja e formës. Cana ka nevojë për më shumë minuta lojë për të kapur ritmin e ndeshjeve dhe mbi të gjitha, për t’u adaptuar në sistemin e ri të lojës, ku ai aktivizohet në krah të mesfushës. Gjithsesi Lacio sot do të luajë me Sportingun e Lisbonës në kryeqytetin portugez, në një ndeshje të vlefshme për grupin D të Europa League. Nuk bëhet fjalë për një sfidë të lehtë për bardhekaltrit italianë. Kështu që trajneri Edi Reja ka grumbulluar në skuadër lojtarët më në formë, por duke i krijuar vend në formacionin e parë edhe Lorikut. Sikurse kanë bërë të ditur mediat italiane, mesfushori i Kombëtares kuqezi do të aplikojë një lloj “turnover”: për shembull Cana do të luajë në rolin e tij si mesfushor qendre në vend të Kristian Ledesmas, i cili duket se ka nevojë për pushim. Në mesfushë do të luajë edhe Alvaro Gonzalez (në krahun e majtë) dhe Kristian Broki (në të majtë). Në mesfushë do të mungojë edhe Matuzalem, i cili rezulton me një dëmtim muskular. Moduli i përzgjedhur nga trajneri Reja do të jetë 4-3-1-2 me Hernanes pas dy sulmuesve Klose dhe Cisse. Për shqiptari është një rast i rëndësishëm, pasi mbi të gjitha do të luajë në rolin e preferuar, atë të shkatërruesit përpara mbrojtjes.

Top Channel