Rivlerësimi i pronës së paluajtshme është një proces që lidhet me amnistinë fiskale, e kërkuar nga Shoqata e Ndërtuesve dhe që u jep mundësi individëve të paguajnë një taksë 10 herë më të vogël se normalja, 10 për qind.
Realizimi i vlerësimit të pronës dhe nxjerrja e diferencës së çmimit të blerjes me shitjen nuk mund të arrihet në rast se individi nuk njeh vlerën e metrit katror të apartamentit apo objektit.
Zyra e Regjistrimit të Pronës së Paluajtshme disponon një hartë të çmimeve referencë për apartamentet në rang vendi, të ndara sipas zonave.
Harta hartohet nga Ministria e Financave dhe Ministria e Drejtësisë dhe rishikohet çdo vit, duke qenë se vlera e objektit ndryshon në varësi të kushteve të ndryshme.
Kështu, në disa zona të Tiranës, vlera e metrit katror ka ndryshuar, ku në disa rajone është rritur, apo në disa të tjera është ulur, sikurse në zona të caktuara nuk ka pasur fare ndryshim.
Zona më e shtrenjtë vijon të mbetet ish-Blloku, ku çmimi referencë është 175 mijë lekë metri katror dhe më pas renditet Piramida apo zona përreth Radio Televizionit Publik (aty ku jeton kryeministri), me 170 mijë lekë për metër katror. Kjo zonë ka pësuar rritje të çmimit me 6.7 për qind, kurse te ish-Blloku ka mbetur i pandryshuar.
Nuk mbetet pas zona e “Myslym Shyrit” apo Rruga e Kavajës, ku vlera e apartamentit është 140 mijë lekë për metër katror, me rritje 7.7 për qind, krahasuar me vlerat e deklaruara nga dy ministritë në vitin 2008.
Porcelani dhe Unaza e Re janë zonat më të lira, ku çmimi i apartamenteve duhet të kushtojë respektivisht 60 dhe 61 mijë lekë për metër katror.
Këto çmime reference janë vendosur nga tatimet për efekt të llogaritjes së taksave, por njëkohësisht shërben për nxjerrjen e detyrimit që paguan individi në momentin e shitjes së pronës dhe regjistrimit të saj në Hipotekë.
Për apartamentet që janë privatizuar në fillim të viteve ‘90 apo për ato që janë blerë herët, kjo pagesë do të rezultonte shumë e lartë.
Për rrjedhojë, kjo taksë e favorizon shumë më tepër këtë kategori apartamentesh, ku nga 500 apo 600 mijë lekë taksë që paguanin më parë, do të paguajnë 10 herë më pak.
Çmimet e apartamenteve bazohen te lista referencë për metër katror, nga e cila del edhe detyrimi i ri për të paguar.
Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe të regjistruar në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive, kanë të drejtë që brenda datës 31 dhjetor 2011, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut.
Në kategorinë e pasurisë së paluajtshme përfshihen toka dhe ndërtesa. Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme është si më poshtë.
Me marrjen e formularit të aplikimit nga ZVRPP-ja, aplikuesi paguan në bankë, për llogari të Thesarit të shtetit, tatimin 1% dhe ia bashkëlidh formularit të aplikimit.
Me marrjen e mandatpagesës së tatimit nga aplikuesi, ZVRPP-ja bën ndryshimet përkatëse në regjistrin e pasurive të paluajtshme.
Data e rivlerësimit të pasurisë është data e pagimit të tatimit të rivlerësimit të pasurisë. Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën pasuri.
Top Channel