Milan kalon Plzen, Barca shkatërron BATE-n

28/09/2011 23:00

U luajtën ndeshjet e dyta të grupeve E, F, G dhe H në Ligën e Kampioneve. Milani ka kaluar jo pa vështirësi modestët e Viktoria Plzen duke fituar në San Siro me rezultatin 2-0, ndërkohë që Barcelona shkatërroi Bate Borisov në Minsk me rezultatin 5-0.

Në Milano, kuqezinjtë e Alegrit pritën çekët e Plzen. Miqtë treguan se jo rastësisht ishin deri në këtë fazë të Ligës së Kampioneve, teksa që në minutat e para të takimit, “qethin” shtyllën e majtë të Abiatit pas një goditje me kokë.

Pas këtij rasti, Milani merr në dorë frenat e lojës. Por me gjithë përpjekjet e Ibrahimovic, Kasanos dhe Emanuelson, vendasit nuk kalojnë dot në pjesën e parë barrikadën që mbante emrin Marek Cech.

E dyta nis sërish me Milanin në sulm në kërkim të golit të avantazhit, ndërsa miqtë tentojnë kundërsulmin. Pak minuta nga nisja e këtij fraksioni, një prekje me dorë e topit nga një lojtar i Plzen shkakton 11 metërsh për Milanin. Ekzekutimi merret përsipër nga Ibrahimovic, që nuk gabon, shënon golin e clirimit për kuqezinjtë.

Në minutën e 66, Milan shënon edhe golin e dytë me anë të Kasanos.

Dy gola të Mesit, një i Pedros dhe një autogol i Volodjko i dhanë fitoren 5-0 në transfertë ndaj Bates, Barcelonës së Pep Guardiolës. Pas këtyre ndeshjeve, grupi H kryesohet nga Barcelona dhe Milan me nga 4 pikë.

Në grupi E, Valencia e Celsi ndanë nga një pikë teksa barazuan 1-1 në Mestaja. Golit të Matas për londinezët iu përgjigj Soldado me 11 metërsh pak minuta nga fundi takimit. Në ndeshjen tjetër Leverkusen kalon pa problem 2-0 belgët e Genkut. Grupi E kryesohet nga Celsi 4 pikë, ndjekur nga Leverkusen 3, Valencia 2 dhe Genk 1.

Në grupin F, Arsenali ka fituar 2-1 ndaj Olimpiakosit, ndërsa Marseja shkatërroi 3-0 kampionët gjermanë të Borusias së Dortmundit. Grupi kryesohet nga Marseja me 6 pikë ndjekur nga Arsenal 4, Dortmund 1 dhe Olimpiakos 0 pikë.

Në grupin G, qipriotët e APOEL Nikosia befasuan Shaktarin teksa i morën një barazim 1-1 në Ukrainë, ndërkohë që më herët Zenit i trajnerit Spaleti mposhti Porton 3-1 në Rusi. Në këtë grupi kryesimi mbahet nga APOEL me 4 pikë, ndjekur nga Zenit e Porti me 3 pikë, ndërsa Shakhtar mbyll tabelën me 1 pikë.

Top Channel