Gdhend me thikë tatuazhin e Rihanës

28/09/2011 19:40

Quhet Viktoria Gushi, por ka shumë dëshirë të marrë mbiemrin Fenty, njëlloj si Rihanna Fenty.

Këngët e Rihanës janë sfondi muzikor që shoqëron çdo ditë të Vikit. Di çdo fjalë të çdo teksti të këngëve të saj.

Por ajo jo vetëm e adhuron Rihanën, ajo e ka idhull atë. Ja si na tregon vetë Viki se deri ku ka arritur adhurimi për miken e saj platonike kur i cënuan sadopak marrëdhënien me të.

“Isha në stres në atë moment dhe kisha një etiketë rrobash në dorë dhe fillova të gërvishtja krahun, avash-avash, thjeshtë sikur po e kruaja. Kur shikoj që u fry dhe dukej si pjesa ime ai tatuazh. E gërvishtja gjithnjë e më shumë kur u fry dhe u bë një vizatim shumë i bukur sepse kisha në mendje logon e Rihanës dhe u përpoqa ta bëja drejt siç e ka Rihana. Më pas thash e bëra që e bëra skicën dhe mendova pse mos ta bëjë të thellë që të më ngelet përjetë dhe deri në fund të jetës do jem ‘R soldiers’. Mora prefsen e lapsit dhe me briskun e vogël fillova të çaja mishin. Filloi të më dilte gjak, por nuk më interesonte sepse po e bëja këtë për Rihanën. Nuk ka kthim mbrapa, do t’i shkoj deri në fund dhe do i tregoj botës se unë jam kjo, ndoshta për mirë apo për keq. Rihana do të jetë gjithnjë në zemrën time. Më pas mora një thikë për t’i vënë kapakun proçedurës dhe hapa plagën dhe arrita në këtë konkluzion. Unë doja ta vulosja me gjak adhurimin tim për të”, shprehet Viki.

Kërkonte ta kishte gjithmonë me vete logon e Rihanës. Kërkonte të bënte një tatuazh të veçantë, jo si të gjithë të tjerëve. Dhe e thotë me zë të lartë se nëse do t’i jepej mundësia do ta bënte sërish një veprim të tillë ekstrem. Vetëm për të! Vetëm për Rihannën!

Është e vogël dhe shumë e ëmbël, por ka vetëm një emër që ajo urren:

“Chris Brown! Kur mora vesh se çfarë i kishte bërë Chris-i Rihannës, aq ishte, shkova dhe preva flokët të shkurtra si i kishte Rihanna dhe tani po i rris vetëm se i ka rritur ajo”, thotë Rihana.

Shoqëria dhe miqtë e saj janë mësuar me “çmendurinë” e Vikit për Rihanën. Ata thjesht luajnë ndonjëherë me të, por si shpërblim marrin vetëm disa të bërtitura dhe vështrime jomiqësore.

Edhe në mbrëmje, në ndonjë “party” apo festim ditëlindjeje, në një moment kërkohet kënga e Rihannës dhe Viki nuk është më vetvetja, ajo shfaqet krejtësisht ndryshe: versioni Rihanna, me flokë të kuqe dhe mikrofon.

Top Channel