OSBE, pro opozitës për rregulloren

27/09/2011 00:00

Ambasadori i OSBE, Eugen Wolfarth, mbështeti kërkesën e opozitës për të përmirësuar rregulloren e Kuvendit.

Ambasadori deklaroi se ky është vetëm fillimi, pasi duhet të zhvillohen diskutime konstruktive dhe të ekzistojë dëshira për t’u përfshirë në një dialog, për ta çuar vendin përpara e për të krijuar atmosferën e nevojshme për hapa konsensualë.

TCH – Zoti ambasador, cili është komenti juaj për zhvillimet e fundit poltike pas rikthimit të opozitës në parlament?

Wolfarth – Kthimi në parlament ishte një hap vendimtar dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm, por sigurisht historia nuk mbaron vetëm me të qenit atje. Është vetëm fillimi. Çështja është se duhet të zhvillohen diskutime konstruktive dhe të ekzistojë dëshira për t’u përfshirë në një dialog, për ta çuar vendin përpara e për të krijuar atmosferën e nevojshme për hapa konsensualë, që janë qartësisht të nevojshëm për axhendën e reformave, duke përfshirë këtu edhe integrimin evropian. Pra, kthimi është vërtet thelbësor, por nuk duhet të jetë vetëm një kthim fizik, duhet të jetë edhe kthim në përmbajtje, kombinuar me vullnetin për të dhënë rezultat. Më duket një fillim shumë, shumë inkurajues.

TCH
– Zoti Ambasador, opozita ka bërë publike disa propozime për ndryshime në Rregulloren e Parlamentit, duke kërkuar që Rregullorja të jetë njësoj si në vitin 2005. A mendoni se këto kërkesa duhen zbatuar, pra a mendoni se opozita ka të drejtë?

Wolfarth – Një parlament duhet të funksionojnë në mënyrë profesionale dhe sigurisht që Rregullorja është e një rëndësie kyçe në këtë aspekt. Siç thashë edhe më herët, është çështje vullneti dhe pasja e një rregulloreje që siguron kushte të barabarta për qeverinë nga njëra anë dhe për opozitën nga ana tjetër përbën një ndër parakushtet për të pasur mundësinë për të punuar siç duhet në parlament. Në shumë vende, për të mos thënë në të gjitha vendet, në të gjitha parlamentet apo Kuvendet, në Bundestagun gjerman, apo në Parlamentin Evropian, rregulloret zakonisht janë konsensuale. Në Shqipëri, mendoj se ka ardhur koha për t’iu rikthyer një rregulloreje konsensuale, por sigurisht që duhet sqaruar nëse është më mirë të fillohet nga Rregullorja e vjetër e 2005-ës, apo nëse duhen shtuar elemente të tjera. Sidoqoftë, Rregullorja është sigurisht thelbësore.

TCH
– Zoti Ambasador, a do të ishte e drejtë të themi se ju i mbështesni propozimet e opozitës?

Wolfarth – Me siguri nuk është e gabuar. Siç thashë, duhet të jetë konsensuale. Është një propozim i rëndësishëm, ka funksionuar në të kaluarën dhe ia vlen të provohet, qoftë duke filluar nga rregullorja e 2005-ës, nëse palët do të binin dakord, nëse është konsensuale, ky do të përbënte një fillim të mirë, por u takon sigurisht partnerëve, dhe qëllimisht them “partnerëve”, të të dyja krahëve.

TCH – Zoti Ambasador, si i shihni 10 propozimet e bëra nga zoti Rama me titullin Pakti Kombëtar i Integrimit.

Wolfarth – Është një titull interesant dhe përfshin propozime sigurisht shumë të dobishme. Ndoshta mund të mos kufizohet vetëm në dhjetë, pasi ka ende punë për t’u bërë, por dy elemente janë patjetër të rëndësishëm. Njëri ka të bëjë me Rregulloren e Parlamentit, kurse tjetri, të cilin e kemi parë tashmë se sa i rëndësishëm është këtë vit, është pikërisht Kodi Zgjedhor. Pra, qoftë edhe në këto dy elemente, duket qartë se ka përmbajtje në këto propozime, por kuptohet që gjithçka duhet diskutuar mes partnerësh brenda partive, por edhe midis vetë partive, dhe vendi më i mirë për këtë është sigurisht Parlamenti, dhe aty sigurisht që Rregullorja ka rëndësi kyçe për t’iu kthyer një sjelljeje vërtet evropiane dhe demokratike. Kjo besoj se mund të çojë vetëm në sukses, gjithmonë nëse ekziston vullneti politik për ta çuar kombin përpara.

TCH – Në qarqet politike ka nisur debati për mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Ka zëra që mbështesin zgjedhjen e presidentit nga populli. A mendoni se presidenti duhet të votohet nga populli?

Wolfarth
– Kjo varet nga Kushtetuta. Aktualisht, kushtetuta e Shqipërisë parashikon votim në Kuvend. Nëse më lejohet të bëj një koment për kushtetutën, mendoj që si Kushtetuta, ashtu edhe dispozita, janë shumë të mira. Nuk është e thënë që të mbetet siç është përjetësisht. Mund të diskutohet – dhe një vend i mirë për diskutime është kuvendi – mund të diskutohet edhe në shoqërinë civile, por ajo do të doja të theksoja është se kur ndryshohen proçedurat e votimit, atëherë mund të jetë e nevojshme edhe një fushatë shtesë dhe këto zgjedhje shtesë mund ta drejtojnë vëmendjen më shumë te zgjedhjet, e më pak tek axhenda e reformave. Për këtë arsye, do të sugjeroja kujdes dhe bërjen e këtij ndryshimi në kohën e përshtatshme, kur Shqipëria të ketë bërë më shumë përparim drejt integrimit evropian. Në shumë vende fqinje presidenti zgjidhet nga populli, pra duket se është një proçedurë mjaft e natyrshme në rajon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB