Nga dita e martë, në Indi nuk do të mund të dërgohen mbi 100 sms në ditë nga i njëjti celular.

Vendimi është marrë nga autoritetet e telekomunikacionit, me qëllim kufizimin e mesazheve publicitare që shkelin privatësinë e konsumatorëve.

Vendimi i Telecom Regulatory Authority of India do të aplikohet ndaj të gjithë operatorëve telefonikë, të cilët do të vendosin kufirin ditor për cdo kartë sim.

Përjashtim do të bëjnë vetëm shërbimet e emergjencës, bankat, rrjetet sociale, kompanitë ajrore dhe ato të autorizuara të telemarketingut.

Kufizimi ka ngritur shumë polemika, sepse në disa raste pengon komunikimin për disa shërbime të nevojshme, si për shembull për shkollat, zyrat e shtypit dhe organizatat joqeveritare që duan të bëjnë fushata sociale.

Rajan S. Mathews, drejtor i Cellular Operators Association of India, ka shprehur shqetësimin e tij pasi norma kufizon të drejtat e konsumatorit.

“E kuptojmë nevojën për të eleminuar depërtimin e mesazheve promovuese, por përse të mos kufizohen vetëm kompanitë që dërgojnë mijëra sms?”, është shprehur ai.

Prej vitesh autoritetet indiane luftojnë kundër depërtimit të tepruar të mesazheve dhe telefonatave promovuese, që prekin këdo që ka një celular dhe që nuk pushojnë as në orët e vona të natës.

Sipas të dhënave të Hindustan Times, cdo ditë dërgohen rreth 75 milionë sms me reklama nga më të ndryshmet, nga qendra banesash e deri tek ilacet e dobësimit dhe kapsulat përforcuese.

Top Channel