Massa-Hamilton, sherr pas garës

26/09/2011 10:00

Në mes të sesionit të intervistave pas përfundimit të garës, Lewis Hamilton po i përgjigjej pyetjeve të një gazetari kur Felipe Massa e ndërpret për ta qortuar pas aksidentit që britaniku i McLaren shkaktoi gjatë Cmimit të Madh të Singaporit, aksident që detyroi pilotin e Ferrarit të hynte në bokse.

Braziliani e goditi disa herë në shpatulla britanikun duke ironizuar: “Të lumtë, të lumtë, kështu pilotohet!” Hamilton kthehet menjëherë dhe i përgjigjet: “Është hera e parë dhe e fundit që më prek me duar!” Këtu mbaroi gjithçka… për momentin.

Këta dy pilotë kanë pasur gjithmonë fërkime në pistë. Në Monaco, Hamilton nxorri jashtë gare ferraristin pas një dueli shumë të ashpër; në Silverstone e njëjta gjë, ndërsa edhe në provat zyrtare të Singaporit pati një parakalim të egër të britanikut menjëherë pasi pilotët dolën në pistë për të regjistruar kohët e shpejta.

Lewis Hamilton u dënua me një kalim në bokse pasi shpoi gomën e pasme të brazilianit në momentin që po tentonte një parakalim.

“Hamiltonit i duket vetja Supermen. Mund të kishte shkaktuar një aksident shumë të rëndë sepse ishte goditje nga pas. FIA nuk po di më çfarë të bëjë me këtë pilot”, u shpreh Massa pas garës.

Ja edhe përgjigja e pilotit të McLaren: “Unë kam mënyrën time të pilotimit dhe nëse dikujt nuk i pëlqen ky nuk është problemi im. Unë nuk kam qëllim të dëmtoj të tjerët. Jam agresiv sepse nuk kam një makinë të shpejtë dhe duhet të jap pak më shumë nga vetja.”

Top Channel