Skënderbeu regjistron më në fund fitoren e parë në këtë sezon të Kategorisë Superiore.
Skuadra kampione e Shqipërisë mundi në ndeshjen e javës së tretë Shkumbinin me rezultatin 3-1. Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro arriti të vendosë në favor të saj këtë ndeshje që në pjesën e parë, të cilën e mbylli me rezultatin 2-0.
Në minutën e 16 Kërçiku shënoi golin e parë për Skënderbeun, ndërkohë që 2 minuta më vonë Bratiç dyfishoi rezultatin.
Në pjesën e dytë Dervishi me anë të një 11-metërshi rihapi llogaritë duke shkurtuar diferencën, por Skënderbëu vulosi fitoren me Bledi Shkëmbin që shndërroi në gol një 11-metërsh të akorduar nga gjyqtari në minutat shtesë të takimit.
Nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndeshja mes Apolonisë dhe Laçit e zhvilluar në stadiumin ‘Loni Papuçiu’ të Fierit. Laçjanët kaluan të parët në avantazh me anë të Emerllahut në minutën e 11 të kësaj pjese, por fierakët reaguan shumë shpejt dhe arritën të gjenin golin e barazimit me Renaldo Ramën.
Me këtë rezultat Apolonia ngjitet në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Laçi shkon në 2 pikë.
Top Channel