Nju Jork, protesta në Wall Street

25/09/2011 15:15

Qindra persona, të cilët kërkojnë të tërheqin vëmendjen e autoriteteve mbi krizën financiare dhe ulje-ngritjet e ekonomisë amerikane, u grumbulluan në ditën e tetë të protestave në Wall Street në Nju Jork.

Protestat nisën më 17 shtator. Protestuesit synojnë të nxjerrin në pah, sic thonë organizatorët e manifestimit, rolin financiar të kompanive të mëdha të Wall Street.

80 persona u arrestuan, të cilët i bashkohen grupit prej 20 të tjerësh të ndaluar dy ditët e mëparshme, pasi akuzohen për prishje të qetësisë publike, rezistencë ndaj dhe sulm ndaj policisë.

Organizatori i protestës Bill Caspo thotë se protesta synon të tërheqë vëmendjen e autoriteteve, vecanërisht të atyre në Uashington, që të hapin sytë, sipas tij, dhe të shohin se ku qendron problemi i vërtetë për gjendjen e vështirë ekonomike që po kalon SHBA.

Misioni është , thotë Caspo, që 20 mijë persona të vërshojnë në rrugët e Manhatanit me krevatë portativë e barrikada paqësore dhe të “pushtojnë” Wall Street-in.

Organizatorët thonë se pavarësisht arrestimeve, protestat do të vazhdojnë.

Top Channel