Kriza, FMN premton ndihmë

25/09/2011 13:05

Fondi Monetar Ndërkombëtar premton t’i vijë në ndihmë ekonomisë globale dhe të ndërmarrë veprime për zbutjen e krizës së borxhit të eurozonës.

Në një deklaratë të tij, organizimi zotohet të rishikojë burimet që ka në dispozicion për menaxhimin e krizës. Vendet e eurozones, thuhej gjithashtu në deklaratë, do të bëjnë ç’është e mundur për të zgjidhur ngërçin e krijuar.

Por, në asnjë moment pohimi i FMN-së nuk ofronte detaje specifike nëse për fondin global do të ketë në dispozicion edhe para shtesë.

“Kapaciteti ynë i huadhënies prej gati 400 miliardë dollarësh duket i rehatshëm sot, por është i zbehtë krahasuar me nevojat e financimeve potencilae për vendet e dobësuara dhe soditësit e krizës”, tha shefja e FMN-së, Kristin Lagarde në Uashington.

“Sado e rëndë të duket situata në këtë moment, duhet të shohim edhe atë punë që është duke u bërë ndërkohë, atë çfarë është arritur. Normat financiare, menaxhimi i krizës, përmirësimi i qeverisjes brenda eurozonës apo forcimi i kapitalit në banka, duhet të them se janë hedhur edhe hapa përpara”, u shpreh Lagarde.

Pak ditë më parë, FMN paralajmëroi se ekonomia botërore rrezikon të shkojë drejt një spiraleje rënieje, nëse politika nuk ndërmerr hapat e duhur.

“Rritje e ngadalësuar, rreziqe në rritje.”

Me këtë fjali të shkurtër e përshkroi Fondi këndvështrimin e tij ndaj ekonomisë globale. Kryeekonomisti i tij, Olivier Blanchard, e bëri të qartë se ajo ka hyrë në një fazë të re, shumë të rrezikshme, se përtëritja globale ka rënë në mënyrë të ndjeshme dhe rreziqet për një rënie të mëtejshme janë shtuar shumë.

Por, me sa duket, tani ka vendosur të ndërhyjë dhe siç deklaroi Lagarde, do të zhvillojë disa mekanizma për t’i ardhur në ndihmë institucioneve në vështirësi financiare.

Top Channel