Libi, rifillojnë luftimet në Sirte

24/09/2011 00:00

Trupat e qeverisë së përkohshme libiane po luftojnë me mbështetësit e
liderit të rrëzuar Muammar Gaddafi në një nga bastionet e tij të fundit,
Sirte.

Tym i zi është parë të ngrihet nga qyteti bregdetar pasi ushtarët e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit hynë në të nga perëndimi.

Korrespondenti i BBC thotë se trupat e KKT-së kanë lëvizur edhe nga lindja drejt qytetit të lindjes së kolonelit, vendndodhja e të cilit nuk dihet ende.

Sirte, një nga dy bastionet e mbetura të Gaddafi-t, ka rezistuar fuqishëm ndaj përpjekjeve të forcave të KKT-së për t’i marrë ato nën kontroll.

Luftëtarët pro-Gaddafi kanë rrethuar rreth 1 kilometër të zonës perëndimore të qendrës së qytetit.

Këshilli deklaron se hyrja lindore është marrë nën kontroll dhe se trupat e tij kanë avancuar rreth 10 kilometra përpara.

Nëse konfirmohet, ky do të jetë avancimi më i fuqishëm që kryengritësit kanë bërë në qytet.

I dërguari i BBC, i cili ndodhet bashkë me trupat e KKT-së, thotë se ato kanë arritur një progres të shpejtë në 12 orët e fundit dhe po qëllojnë me raketa drejt forcave të Gaddafi-t, të cilat gjithashtu po kundërpërgjigjen.

Libi, KKT merr nën kontroll oazin e Al Jufra

Udhëheqësit e përkohshëm të Libisë deklarojnë se kanë marrë nën kontroll zona kyce në jug të vendit.

Komandantët deklarojnë se tre qytetet kryesore në oazin Al Jufra janë tashmë nën kontrollin e kryengritësve.

Ndërkohë, gazeta britanike “Financial Times” thotë se liderët e rinj të Libisë kanë gjetur 23 miliardë dollarë në bankën qendrore të vendit.

Sipas saj, shuma në fjalë i përket kolonelit Muammar Gaddafi, por do të përdoret për t’u ardhur në ndihmë rebelëve në ofensivën e tyre dhe në ndërtimin e shtetit të ri.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se marrja e qyteteve sahariane do të thotë se forcat pro-Gaddafi në Sirte dhe Bani Ualid kanë humbur kontrollin e rrugëve të arratisë.

NATO zgjat misionin në Libi

NATO vendosi të zgjasë edhe 3 muaj misionin në Libi ndërsa udhëheqësit e rinj po përpiqen të clirojnë vendin nga besnikët e kolonelit, Muamar Gedafi.

Shefi i Aleancës, Anders Fog Rasmusen tha se këshilli i NATO-s, që u mblodh në Bruksel vendosi zgjatjen me 90 ditë të fushatës ajrore dhe detare në Libi.

Misioni pritej të mbaronte me 27 shtator dhe kjo është shtyrja e dytë prej 90 ditësh, me qëllimin e vetëm për të mbrojtur civilët duke zbatuar embargon e armëve të vendosur nga OKB, kundër qeverisë së mëparshme.

Tetë nga 28 vendet anëtare të NATO-s kanë marrë pjesë në sulmet ajrore prej fillimit të misionit, që deri tani numëron 23.350 fluturime dhe 8751 goditje kundër qendrave të komandës, automjeteve të blinduara, shënjestrave ushtarake, ndërsa 14 anije të NATO-s po patrullojnë në Detin Mesdhe.

Top Channel