Jemen, masakër në Sheshin e Ndryshimit

24/09/2011 00:00

Të paktën 16 persona janë vrarë në një sulm që trupat qeveritare bënë ndaj protestuesve në kryeqytetin e Jemenit, Sana.

Lajmin e bëjnë të ditur burime mjekësore, ndërkohë që dëshmitarët deklarojnë se protestuesit u sulmuan në qendër të qytetit, e konsideruar si zemra e manifestimeve.

Raportohet se sulmi nga pjesa jugore e Sheshit të Ndryshimit u krye vonë gjatë ditës së premte.

Dhuna shpërtheu në kohën kur presidenti Ali Abdullah Saleh u kthye nga Arabia Saudite, tre muaj pasi i mbijetoi një tentative vrasjeje në pallatin presidencial.

Një mjek tha për agjencinë e lajmeve “AP” se numri i viktimave është 16, ndërsa një mjek tjetër nga tendat spitalore të ngritura në shesh tha për “AFP” se 17 persona kanë vdekur dhe 55 të tjerë janë plagosur.

Ndërkohë, një dëshmitar që jeton në afërsi të kampit të protestuesve tha për “Reuters” se forcat qeveritare kanë përdorur autoblinda dhe armë të rënda zjarri.

“Ishte një luftim i fuqishëm. Shtëpia ime tronditej si e cmendur. Tani aty nuk ka më protestues, por vetëm njerëz të armatosur”, tha dëshmitari.

Më herët gjatë së premtes, të paktën 13 persona humbën jetën në luftime të tjera të zhvilluara në kryeqytetin Sana.

Aktivistët kanë ngritur kampe në Sheshin e Ndryshimit që prej muajit janar, duke kërkuar largimin nga pushteti të presidentit Ali Abdullah Saleh.

Përleshjet janë intensifikuar së fundmi, pasi trupat elitë të Gardës së Republikës, të drejtuara nga i biri i presidentit, Ahmed, kanë nisur luftimet me ato trupa ushtarake që kanë dezertuar për t’u bashkuar me fiset tribale që luftojnë përkrah opozitës.


Jemen, Saleh rikthehet në atdhe

Ali Abdullah Saleh, presidenti i Jemenit, është kthyer në kryeqytetin Sanaa pas tre muaj qëndrimi në Arabinë Saudite, ku është kuruar nga plagët e marra gjatë atentatit që rebelët kryen ndaj pallatit presidencial në fillim të qershorit.

Saleh është kthyer në atdhe pikërisht në momentin kur Sanaa është e përfshirë nga luftimet e dhunshme mes ushtarakëve besnikë të tij dhe ushtarakëve që janë tashmë në opozitë.

Të martën e kaluar forcat qeveritare qëlluan me raketa ndaj një kampi protestuesish në Sanaa. Forcat qeveritare nisën një ofensivë të përgjakshme ndaj protestuesve ditën e dielë dhe mësohet se kanë shkaktuar 50 viktima.

Protestuesit kanë zaptuar disa zona të kryeqytetit që nga fillimi i vitit, ku përmes protestave kanë kërkuar largimin nga pushteti të presidentit Ali Abdullah Saleh.

Aktet e fundit të dhunës kanë qenë më të këqijat që vendi ka parë në muaj. Dëshmitarët thonë se snajperat e qeverisë kanë qëlluar protestuesit nga catitë e ndërtesave në Sana.

Megjithatë, ministrat kanë mohuar vazhdimisht lajmet se ushtarët e tyre kanë qëlluar civilë apo demonstrues paqësorë, duke thënë se manifestimet janë nxitur nga Al Kaeda.

Top Channel