“Kosovë, nuk do të thotë vetëm luftë”, është fjalia e parë që paraqitet në njoftimin për shtyp që kanë nisur organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Prishtinës, për të lajmëruar zhvillimin e tij nga data 24 shtator deri më 1 tetor.
“Ky event është mjaft i rëndësishëm për komunitetin artistik në Kosovë. Meqenëse brenda festivalit organizohet edhe forumi i kooproduksionit i cili ka dy vite që po mundëson jo vetëm për Kosovën, por edhe kineastët e rajonit nga të gjitha vendet fqinje të marrin pjesë duke qenë të pranishëm në ligjërata shumë të rëndësishme që prezantohen nga prezantues nga kompani shumë prestigjoze evropiane të kooproduksionit, duke pasur parasysh se kemi shumë informacione dhe Kosova është si një vatër e problemeve dhe konflikteve, të paraqitet në një pasqyrë tjetër është shumë e rëndësishme”, është shprehur Vjosa Berisha, drejtoreshë e “Prifilmfest”.
Në konkurim do të jenë filma nga Danimarka, Shqipëria, Franca, Maqedonia, Bosnja etj, por edhe serb, në konkurimin jozyrtar, risi kjo këtë vit, pavarësisht tensioneve mes dy vendeve, bëjnë të ditur organizatorët e festivalit.
Juria ndërkombëtare, me president Gedeon Burkhard, aktor në filmin “Inglorious bastards” të Tarantinos, do të japë gjashtë çmime, që janë “Hyjneshat e arta”.
Pjesë e programit është edhe Retrospetkiva franceze, që i dedikohet regjisorit Claude Chabrol.
Ky është edicioni i tretë i Festivalit ndërkombëtar të filmit të Prishtinës, që në vazhdën e dy sloganeve të para “Fillimi i një miqësie të bukur” dhe “Miqësia vazhdon” këtë vit është përzgjedhur: “Miqësi. Përgjithmonë”.
Top Channel