Më të mirët në tregun botëror

23/09/2011 20:40

Shanse të arta për ata që do të bëhen pjesë e “The voice of Albania”, këtij show që u jep mundësinë artistëve me talent e që dëshirojnë ta bëjnë karrierën e tyre, pjesë të tregut botëror të muzikës.

Grupi i famshëm ndërkombëtar Universal, që ka lançuar një pjesë të mirë të këngëtarëve më të suksesshëm bashkëkohorë e jo vetëm, do të promovojë edhe finalistët e “The Voice of Albania”.

Promovim ky që vjen pas një sërë të tjerësh, që ky grup, partner i këtij formati, ka bërë në edicionet e tjera të tij në botë.

“Universal Music është shumë e entuziazmuar që Top Channel po prodhon ‘The Voice of Albania’, këtë show që ka njohur një sukses shumë të madh në mbarë botën. Po presim me padurim që të gjejmë shumë talente këtu në Shqipëri e që më pas t’i bëjmë pjesë të familjes sonë me artistë. Universal Music ka në gjirin e saj artistët më të suksesshëm ndërkombëtarë dhe do të donim që talentet shqiptare të ishin pjesë e kësaj familjeje”, është shprehur Anna-Maria Antipas, përfaqësuese e “Universal”.

Universal Music ka në gjirin e saj artistë me famë ndërkombëtare, mes të tjerësh Jennifer Lopez, Rihanna, Enrique Iglesias, apo grupe që kanë bërë epokë në muzikë si U2, ABBA, apo edhe më të rinj si Jamiroquai e Maroon Five. Lideri i këtij të fundit Adam Lavine ishte edhe një nga trajnerët e zërit të ‘The voice of America’.

Audicionet për artistët pjesëmarrës në ‘The voice of Albania’ vazhdojnë. Finali do të zhvillohet të shtunën në Tiranë. Mjafton vetëm zëri dhe karriera e fama, përfshirë edhe në rang ndërkombëtar, mund të jenë vetëm një hap larg!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA