Jemen, Saleh rikthehet në atdhe

23/09/2011 08:25

Ali Abdullah Saleh, presidenti i Jemenit, është kthyer në kryeqytetin Sanaa pas tre muaj qëndrimi në Arabinë Saudite, ku është kuruar nga plagët e marra gjatë atentatit që rebelët kryen ndaj pallatit presidencial në fillim të qershorit.

Saleh është kthyer në atdhe pikërisht në momentin kur Sanaa është e përfshirë nga luftimet e dhunshme mes ushtarakëve besnikë të tij dhe ushtarakëve që janë tashmë në opozitë.

Të martën e kaluar forcat qeveritare qëlluan me raketa ndaj një kampi protestuesish në Sanaa. Forcat qeveritare nisën një ofensivë të përgjakshme ndaj protestuesve ditën e dielë dhe mësohet se kanë shkaktuar 50 viktima.

Protestuesit kanë zaptuar disa zona të kryeqytetit që nga fillimi i vitit, ku përmes protestave kanë kërkuar largimin nga pushteti të presidentit Ali Abdullah Saleh.

Aktet e fundit të dhunës kanë qenë më të këqijat që vendi ka parë në muaj. Dëshmitarët thonë se snajperat e qeverisë kanë qëlluar protestuesit nga catitë e ndërtesave në Sana.

Megjithatë, ministrat kanë mohuar vazhdimisht lajmet se ushtarët e tyre kanë qëlluar civilë apo demonstrues paqësorë, duke thënë se manifestimet janë nxitur nga Al Kaeda.

Top Channel