Inva Mula këndon “Faustin” në Paris

23/09/2011 18:50

E martë, 20 shtator 2011. Inva Mula po flet në radio për karrierën e saj dhe për operan Faust. Hera e fundit që opera është luajtur në Paris, ka qenë në vitin 2003.

Prodhimi i mëparshëm, një triumf i vërtetë, u luajt për më shumë se një çerek shekulli, duke shenjuar një brez të tërë. Pas 8 vjet mungese, drejtori i operas kombëtare të Parisit, Nicolas Joel, ka vendosur t’ia rikthejë operan parizienëve.

Fausti do të luhet në Operan e Bastijës, deri më datë 25 tetor. Për disa prej kritikëve, Nicolas Joel ka bërë një zgjedhje të guximshme, por, po aq sa ishte e guximshme, mendojnë ata, po aq kishte ardhur koha që publikut parizien t’i servirej sërish kjo vepër e rëndësishme e repertorit francez. Vetëm koha do të tregojë nëse ky “Faust” do t’i qëndrojë apo jo krahasimit me prodhimin e mëparshëm. Por, sikurse shkruante njëri prej kritikëve, për këtë prodhim Nicolas Joel ka zgjedhur dy vlera të sigurta, që nuk e kanë shokun sot për sot në botë në rolin e Faustit dhe të Margeritës, Roberto Alagnan dhe Inva Mulën.

Por mbi operan duket se qëndron varur një fat jo i mirë. Ditën e premierës një grevë e punonjësve të skenës për pak sa nuk rrezikon vetë shfaqjen. Ndërkohë që disa ditë përpara kësaj opera u mbulua nga një parfum skandali, pas largimit të dirigjentit Alain Lombard. Në fakt, sipas burimeve, ishte Roberto Alagna ai që pas një sherri me të, i vuri kusht drejtorit të operas: “o unë, o ai”. Për dy ditë provat u pezulluan dhe artistët qëndruan në shtëpi. Pas dy ditësh, drejtori Nicolas Joel zgjodhi të mbajë tenorin dhe të largojë dirigjentin. Në fakt Roberto Alagna është më i vyer për suksesin e operas. Gjatë intervistave që ai jep për ne dhe për një tjetër televizion sivëlla nga Kosova, del qartë në pah një komplisitet mes tij dhe Inva Mulës.

“Herën e parë që e kam kënduar Faustin isha 20 vjeç. Tani jam 48, pra po bëhet një kohë shumë e gjatë. Dhe merreni me mend, çdo herë mrekullohem, sepse kjo muzikë është e magjishme. Dhe me Invën është gjithmonë një kënaqësi shumë shumë e madhe, sepse njihemi mirë, jemi si vëlla e motër, dhe kjo të lejon ta këndosh veprën në një mënyrë mjeshtërore”, thekson Algna.

Më datë 10 tetor, Fausti do të transmetohet direkt në sallat e kinemave dhe në televizionin France 3. Me fjalë të tjera, opera do të demokratizohet.

“Shumë nga teatrot kryesorë të botës po e bëjnë, ta demokratizojnë. Kështu do të kemi, – mendohet që në të ardhmen do të kemi më shumë publik, do të kemi njerëz më shumë që do të vijnë, do të synojnë të vijnë drejt operas dhe do ta shikojnë që nuk është vetëm për një elitë”, shprehet Mula.

TCH: Pse, opera është në krizë?

“Opera s’është në krizë, se njerëzit kërkojnë; janë 10 shfaqje të ‘Faustit’ që janë të gjitha biletat të shitura, në një teatër që është 2700 vende. Mund ta imagjinoni çfarë krize mund të ketë kjo opera?”, theksoi Mula.

Ky teatër ofron mundësi teknike për të realizuar çdo fantazi të regjisorit. Por ky i fundit, që e cilëson realizimin e tij modern, thotë se i ka mbetur besnik veprës.

“Konceptimi im për regjinë është të vihem gjithmonë në shërbim të veprës, duke sjellë një maksimum informacionesh, sa më shumë detaje, por duke mbetur në shërbim të veprës. Dhe dua që publiku ta shohë këtë vepër”, deklaroi Jean-Louis Martinoty.

Ai ka një vlerësim maksimal për Invën, për të cilën thotë se përveç se një soprano e shkëlqyer, është edhe një aktore shumë e saktë. Ajo luan rolin e Margeritës, që joshet nga Fausti. Ky i fundit ka bërë një pakt me djallin, Mefistofelin, në këmbim të rinisë së përjetshme.

Kur Fausti vret vëllain e Margeritës, Margerita cmendet. Si në cdo opera, edhe këtu ka një dashuri të pamundur. Por këtu, Margerita shkon deri në cmendi, duke vrarë fëmijën që ka pasur me Faustin. Për këtë ajo ndëshkohet në gijotinë.

Por nëpërmjet vdekjes së saj, Margerita i jep Faustit shëlbimin, pra pastrimin nga mëkatet. Ndërkohë që Roberto Alagna dhe Inva Mula i garantojnë operas suksesin e pritshëm.

Ndoshta një ditë, mund t’i shohim të dy në Tiranë, ndoshta në një koncert të madh, që Inva po mendon të organizojë, më rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Ky i dihet!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA