Libi, KKT merr nën kontroll oazin e Al Jufra

22/09/2011 17:55

Udhëheqësit e përkohshëm të Libisë deklarojnë se kanë marrë nën kontroll zona kyce në jug të vendit, por trupat e tyre kanë ndaluar avancimin drejt dy bastioneve të Gaddafi-t.

Komandantët deklarojnë se tre qytetet kryesore në oazin Al Jufra janë tashmë nën kontrollin e kryengritësve.

Ata thonë se synojnë të bllokojnë rrugët e mundshme të arratisë nga Bani Ualid dhe vendlindja e kolonelit, Sirte, në të cilat po haset një rezistencë e ashpër e besnikëve.

Ndërkohë, gazeta britanike “Financial Times” thotë se liderët e rinj të Libisë kanë gjetur 23 miliardë dollarë në bankën qendrore të vendit.

Sipas saj, shuma në fjalë i përket kolonelit Muammar Gaddafi, por do të përdoret për t’u ardhur në ndihmë rebelëve në ofensivën e tyre dhe në ndërtimin e shtetit të ri.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare deklarojnë se marrja e qyteteve sahariane do të thotë se forcat pro-Gaddafi në Sirte dhe Bani Ualid kanë humbur kontrollin e rrugëve të arratisë.

KKT thotë se shumë mbështetës të kolonelit Gaddafi të mbledhur në Sirte dhe Bani Ualid mendojnë se nuk kanë zgjidhje, të rezistojnë ose të përballen me akuzat për krime lufte.

Komandanti Mustafa bin Dardef, trupat e të cilit ndodhen 25 kilometra në lindje të Sirtes, tha për “AFP” se kryengritësit po furnizohen me ndihma për një javë para se të rifillojnë luftimet. 

Ndërkohë, vendndodhja e saktë e kolonelit nuk dihet ende. Zëdhënësi i tij deklaroi disa ditë më parë se ai është ende në Libi, ndërkohë që vetë lideri libian iu bëri thirrje qytetarëve një ditë më parë që të mos i besojnë ndryshimit të regjimit. 

Top Channel