Financat, nisin negociatat për buxhetin

21/09/2011 08:20

Në Ministrinë e Financave ka zhvillime intensive për përgatitjen e buxhetit të shtetit për vitin 2012. Në fund të muajit gusht, të gjitha ministritë dhe institucionet e tjera kanë paraqitur buxhetet paraprake, duke iu përmbajtur planit të miratuar në korrik për tavanet e shpenzimeve të lejuara.

Aktualisht, dikasteri i Bodes po negocion kokë më kokë me çdo ministri, lidhur me projektet që duhen financuar, kush mund të futet në listën e prioriteteve dhe rezultatet që priten. Burime nga ministria thonë për “Shqip” se diskutimet janë të forta, pasi të gjithë pretendojnë më shumë fonde, por përfituesit më të mëdhenj do të jenë ato institucione që bindin me projektet e tyre dhe që janë pjesë e strategjisë për zhvillim, miratuar nga Kryeministri. Pjesë përbërëse e negociatave janë edhe ekspertë nga Ministria e Integrimit, të cilët koordinojnë projektet me kuadrin e BE-së. Paraprakisht është menduar që buxheti i shtetit të planifikojë rreth 420 miliardë lekë shpenzime, ose 10 miliardë lekë më tepër se buxheti i këtij viti (pa ndryshimet e korrikut). Sikurse ka ndodhur në vitet e kaluara, Ministria e Transporteve, Punëve Publike, Ministria e Arsimit dhe Shëndetësia do të kenë buxhetet më të mëdha, për shkak të numrit të projekteve dhe sektorëve që përfaqësojnë.
 
Sakaq, në ligjin e ri për buxhetin, i cili ka hyrë në fuqi së fundmi, janë vendosur edhe afatet e përgatitjes, miratimit në qeveri, kalimi në Kuvend dhe hyrja në fuqi.

Kështu, brenda datës 25 tetor, Këshilli i Ministrave miraton, me vendim, projektbuxhetin vjetor dhe programin buxhetor afatmesëm, të rishikuar. Më tej, nëpunësi i parë autorizues (sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave), brenda 10 ditëve pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të buxhetit vjetor dhe programit buxhetor afatmesëm, të rishikuar, njofton çdo njësi të qeverisjes vendore dhe çdo njësi të fondeve speciale të këtij pushteti për transfertat nga njësitë e qeverisjes qendrore dhe pjesën e madhësinë e taksave kombëtare, të ndara në projektbuxhet. Kalimi në Kuvend bëhet brenda datës 1 nëntor, nga Kryeministri, në emër të Këshillit të Ministrave, e më pas është Parlamenti, përmes komisioneve të posaçme që kryen diskutimet (bashkë me grupet e interesit), deri në plotësimin final të buxhetit, i cili zyrtarisht nis zbatimin më 1 janar 2012.

Paraprakisht mund të thuhet se Ministria e Financave e ka të qartë planin e shpërndarjes së fondeve për vitin 2012. Duke i krahasuar me buxhetin e fundit, të ndryshuar në korrik, bie në sy fakti se diferencat nuk janë të mëdha, për të mos thënë gati të njëjta. Ministria do të marrë nga buxheti rreth 45.8 miliardë lekë, aq sa kishte këtë vit. Për dikasterin e Sokol Olldashit pritej të akordoheshin më shumë fonde, duke pasur parasysh numrin e madh të projekteve, si Rruga e Arbrit apo autostrada Tiranë-Elbasan. Sipas Financave, në planin e investimeve, MPTT-ja do të mbështetet kryesisht te financimet e huaja me vlerë rreth 28 miliardë lekë, kurse shpenzimet e brendshme do të jenë 13 miliardë lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA