Beteja e humbur me korrupsionin

21/09/2011 00:00

Instituti i Statistikave publikoi për herë të parë një anketë që
përpiqet të masë nivelin real të korrupsionit Shqipëri, duke pyetur 5700
qytetarë në të gjithë vendin. Rezultatet tregojnë se 1 në 3 qytetarë,
që troket në zyrat e shtetit ose paguan, ose i kërkohet rryshfet.

“Mesatarisht 28.3 perqind e qytetarëve shqiptarë te moshes 18-64 vjec kane qene te ekspozuar direkt ose jo ndaj nje eksperience te rryshfetdhenies me nje zyrtar publik, 19.3 perqind prej tyre kane deklaruar se kane paguar nje te tille ne 12 muajt e fundit”, thotë Anisa Omuri, nga INSTAT.

Dukuria më tronditëse është ajo se qytetarët në Shqipëri paguajnë rryshfet për të marrë një shërbim publik që u takon me ligj dhe anketa tregon se pjesa dërrmuese e rryshfeteve paguhen në spitale për mjekët dhe infermierët.

“70 përqind e qytetareve paguajnë rryshfet për një trajtim më të mirë, 9 përqind për të përshpejtuar procedurën, 9 perqind per te shmangur pagesen e gjobes dhe 12 përqind për të finalizuar procedurat, apo për te shprehur mirënjohjen”, tha Omuri.

Por si funksionon makineria e korrupsionit në Shqipëri? “Në 30 përqind të rasteve rryshfetin e paguajnë në mënyrë të vullnetshme vetë qytetarët. Në 50 përqind ai u nënkuptohet atyre nga zyrtarët. 10 përqind e te intervistuarve deklarojne se kerkesa u eshte bere në mënyrë eksplicite nga zyrtari apo personi tjetër ndërmjetës”, tha Omuri.

Të nënshtruarit e rryshfetit

Që administrata shqiptare është më e korruptuara në rajon, kjo nuk është më një risi për publikun dhe pak ditë më parë e konfirmoi zyrtarisht edhe Banka Botërore. Por anketa e fundit e INSTAT nxjerr në pah një dukuri tronditëse. Atë që korrupsioni në Shqipëri është shndërruar në institucion dhe shoqëria jo vetëm që nuk e denoncon, por duket e dorëzuar dhe nënshtruar para tij, aq sa pjesa dërrmuese e qytetarëve e konsiderojnë si fenomen normal dhe një mundësi reale për të zgjidhur problemet.

“Me pak se 1 përqind e qytetareve shqiptare qe kane perjetuar eksperience te rryshfetdhenies e raportojne incidentin, pjesa tjeter nuk e raportojne per shkak te ketyre arsyeve: 45 perqind e tyre e konsiderojne rryshfetdhenien si praktike e zakonshme, 13 perqind e tyre deklarojne se paguajne ne shenje mirenjohje dhe 29 perqind e qytetareve nuk raportojne, pasi mendojne se nuk do te behet ndonje gje e dobishme per ta”, tha Omuri.

Strategjia e qeverisë për të nxjerrë administratën nga korrupsioni, sipas kryeministrit, është përqëndruar në dy shtylla. Së pari lufta e korrupsionit nis nga vetë qeveria dhe së dyti reduktimi maksimal i kontakteve të qytetarit me zyrtarët përmes procedurave elektronike.

Anketa e INSTAT tregon se të dyja këto rrugë, në sytë e qytetarëve janë të dështuara. Më shumë se 60 për qind e shqiptarëve mendojnë se institucioni më i korruptuar në vend është vetë qeveria dhe 8 në 10 qytetarë, pavarësisht procedurave elektronike, detyrohen që të paktën njëherë në vit të shkojnë në zyrën e një titullari publik, ku gjasat që të bëhen pre e rryshfetit janë të larta. Beteja me korrupsionin, ashtu sic thotë edhe vetë kryeministri, nuk mbaron asnjehërë. Por sot sic tregoi anketa e INSTAT qytetarët perceptojnë gje tjetër, atë se beteja me korrupsionin në Shqipëri nuk ka filluar asnjëherë dhe se më të korruptuar janë ata që duhet ta luftojnë.

Top Channel