Shqipëria ka ftuar autoritetet maqedonase t’u japin fund problemeve të krijuara në arsimin shqip në Maqedoni. Ambasadori shqiptar në Shkup Arben Cejku, i ka shprehur shqetësimin e Tiranës zyrtare, zv/ministrit të Arsimit në Maqedoni, Safet Neziri, lidhur me problemet me të cilat po ballafaqohen nxënësit shqiptarë.

“Shpreha shqetësimin për problemin e krijuar në komunën Karposh për mosregjistrimin e 16 nxënësve shqiptarë në këtë shkollë. Ajo klasë u bë sakrificë e luftës politike. Nuk mund të mos them një të vërtetë të hidhur, kur për rreth 200 mijë shqiptarë të Shkupit ka vetëm një gjimnaz. Sjelljet me remenishenca të së kaluarës ish-Jugosllave duhet të marrin fund”, thotë Arben Çejku, ambasador i Shqipërisë në Maqedoni.

Ambasadori Cejku ka reaguar edhe ndaj teksteve shkollore që fyejnë shqiptarët. Ai po ashtu ka kërkuar të ketë një botim të ri të Enciklopedisë maqedonase ku do të korrigjohen të pavërtetat për shqiptarët.

“Ne kemi kërkuar që këto gabime dhe provokime në tekste të marrin fund. Dëgjova nga zv/ministri se teksti i historisë është korigjuar. Po ashtu gjej rastin të kërkoj publikisht edhe një herë që enciklopedia e vjetër të pasohet dhe me një enciklopedia të re të korigjuar dhe të mos vazhdojë më të qarkullojë në atë formë që është”, thotë ambasadori.

Diplomati shqiptar ka thënë se maqedonasit duhet të respektojnë identitetin e shqiptarëve, ashtu siç Shqipëria njeh dhe respekton identitetin dhe kulturën e tyre.

Top Channel