Limaj, i hapet rruga arrestimit

20/09/2011 21:00

Me kërkesë të qeverisë së Kosovës, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim kërkesën nëse deputetët gëzojnë imunitet nga ndjekja penale.

Gjykata Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, njëzëri vendosi që: Në përputhje me  nenin 75(1), nenin 89 dhe nenin 98 të Kushtetutës, deputetët e Kuvendit të Kosovës, presidenti i Republikës dhe anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitet funksional për veprimet dhe vendimet e ndërmarra brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre përkatëse.

Ndërsa nuk e gëzojnë imunitetin nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre.

Kjo ka të bëjë me ndjekjen penale për veprat të cilat pretendohen të jenë kryer para fillimit të mandatit të tyre dhe gjatë rrjedhës së mandatit të tyre si deputetë, sqaron gjykata.

Sipas këtij vendimi, deputeti mund të arrestohet apo ndalohet gjatë kohës që nuk është duke kryer detyrat, pra kur nuk ka mbledhje plenare të Kuvendit ose mbledhje të komisioneve të tij, edhe pa vendim të Kuvendit.

Ky vendim duket se i hap rrugën Prokurorisë së EULEX-it për të arrestuar deputetin e PDK-së Fatmir Limaj, sepse, ndaj tij ka lëshuar një fletëarrest për krime lufte pak kohë më parë.

Deputeti u morr sot në pyetje në prokurorinë speciale lidhur me një tjetër çështje, atë të akuzave për korrupsion në Ministrinë e Transporteve gjatë kohës që ishte ministër.

Ndërsa ka dalë i lirë nga prokuroria, pas marrjes në pyetje, avokati i tij mbrojtës në këtë çështje Tahir Rrecaj ka thënë se është lënë që të vazhdohet nesër me marrjen në pyetje.

Top Channel