Bayern Munchen, digjet shtëpia e mbrojtësit Breno

20/09/2011 15:25

Momente frikë për Breno, mbrojtësin e Bayern Munchen. Vila e futbollistit brazilian është djegur mbrëmjen e kaluar duke u shkatërruar plotësisht ndërsa vetë lojtari fatmirësisht ka shpëtuar.

Breno është shtruar në spital për disa probleme në rrugët e frymëmarrjes, por mund të kishte përfunduar më keq sepse mbrojtësi nuk kishte njeri në shtëpi dhe vetëm kthimi i bashkëshortes së bashku me tre fëmijët e ka shpëtuar atë.

Ndihmesë të madhe ka dhënë edhe braziliani tjetër i Bayern Munchen, mbrojtësi i djathtë Rafinha, i cili banon aty pranë.

Policia bavareze ka nisur hetimet për të zbardhur shkakun e zjarrit.

Vila e mbrojtësit qendror, në Grunwald (në periferi të Mynihut), është shkatërruar plotësisht dhe dëmet llogariten se shkojnë deri në 500 mijë euro.

Top Channel