Milani është mundur 3-1 nga Napoli në javën e dytë të Serisë A.
Kuqezinjtë e Alegrit kanë treguar shenja lodhjeje pas asaj përballjeje me Barcelonën në mesjavë e nuk kanë mundur të reagojnë përballë napolitanëve, të cilët të udhëhequr nga Kavani me tregolëshin e tij kanë fituar ndaj kampionëve në fuqi.
Edhe Juventus siguron një tjetër fitore në Serinë A. Këtë radhë skuadra e drejtuar nga Antonio Konte mundi Sienën në Artemio Franki me rezultatin e ngushtë 1-0. Bardhezinjve u mjaftoi një gol i Matrit në pjesën e dytë për të marrë këto 3 pikë që e ngjisin në krye të renditjes së përgjithshme.
Zhgënjeu tërësisht Lacio në këtë javë të dytë të kampionatit italian. Skuadra romane u mund në Olimpiko nga Xhenoa me rezultatin 2-1 në një ndeshje të cilën mund ta kishte administruar më mirë. Skuadra e Edi Rejës luajti një pjesë të parë shumë të mirë të cilën e mbylli në avantazhin 1-0 me gol të Skulit. Në pjesën e dytë gjithçka ndryshoi në favor të skuadrës xhenoveze. Kuqeblutë barazuan rezultatin me Palasion, ndërkohë që Kucka shënoi golin e fitores për skuadrën e tij.
Në ndeshjet e tjera të Serisë A, Bolonja u mund nga Lece 2-0, ndërsa Katania fitoi me Cezenën 1-0. Fitore shënoi edhe Parma që mundi Kievon me rezultatin 2-1, ndërkohë që Udineze mundi Fiorentinën 2-0.
Top Channel