Levante trondit Realin e Madridit

19/09/2011 08:30

Levante bën befasinë në këtë javë të Ligës BBVA pasi mundi Realin e Madridit me rezultatin 1-0.

Ashtu sikurse edhe sezonin e kaluar, fusha e skuadrës valenciane rezultoi të ishte e pakalueshme për të besuarit e Murinjos që tashmë e shohin veten në vendin e tretë në renditje.

Në pjesën e parë ishte Reali i Madridit që bëri një lojë më të mirë duke krijuar disa raste për shënim, por që nuk u shfrytëzuan nga futbolllistët e kësaj skuadre. Minuta e 40 ishte pika e kthesës së kësaj ndeshjeje. Një çast nervozizmi mes futbollistëve të dy skuadrave bëri që mesfushori i Realit të Madridit, Sami Kedira, të linte skuadrën e tij me 10 futbollistë, ndërkohë që u dënuan me kartona të verdhë edhe të tjerë lojtarë si nga Reali ashtu dhe nga Levante.

Në pjesën e dytë, Levante mori zemër dhe filloi të shfaqej rrezikshëm në zonën madrilene dhe në një prej tyre arriti të shënojë golin e fitores me anë të Kone. Reali i Madridit kërkoi të reagojë dhe Murinjo aktivizoi në fushën e lojës Higuain e Ozil, por ishte konfuze në lëvizjet e tij, ndërkohë që Kristiano Ronaldo nuk mundi dot të nxjerrë nga vështirësitë skuadrën e tij këtë radhë.

Ndërkohë në ndeshjet e tjera të Primera Divizion, Atletiko madrid fitoi 4-0 me Rasing Santander ndërsa Real Saragoza mundi Espanjolin 2-1.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA