Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka thënë Greqisë se i duhet një mbledhje më e mirë e taksave, shkurtime më të thella shpenzimesh dhe jo rritje taksash për të parandaluar krizën.
Paralajmërimi vjen teksa Greqia përgatitet për bisedimet e radhës me FMN-në, Bankën Qendrore Evropiane dhe Komisionin Evropian.
Athina po përpiqet të bindë këto institucione që të lirojnë këstin e ardhshëm prej 8 miliardë eurosh brenda muajit të ardhshëm, për të shmangur falimentimin për shkak të borxhit.
Kësti vjen me kushtin që Greqia të ulë në mënyrë drastike deficitin e saj, gjë të cilën qeveria helene parashikon ta bëjë duke reduktuar përmasat e sektorit publik, duke shkurtuar pagat dhe duke shtuar privatizimet.
Përfaqësuesi i FMN-së për Greqinë, Bob Traa, që ndodhet në Athinë, tha se kjo është me rëndësi jetike për vendin.
“Sektori publik është shumë i madh. Një tjetër element kyc në këndvështrimin tonë është reduktimi i shpenzimeve në këtë sektor”, ka deklaruar Traa.
Për të siguruar sa më shumë të ardhura, Greqia po propozon një taksë emergjente për pronën, e cila mund të paguhet përmes faturave të energjisë, edhe pse zoti Traa tha se kjo nuk është një ide e mirë.
Samiti i Polonisë, mesazh Greqisë
Me shqetësim të madh ka ndjekur Athina zhvillimet e një prej samiteve më të rëndësishme të ministrave të BE dhe atyre të Eurozonës në Poloni, sepse nga rezultati i bisedimeve varej kësti i saj i radhës nga paketa e ndihmës dhe mbi të gjitha stabiliteti ekonomik i Eurozonës.
Por mesazhi i samitit ishte më se i qartë për qeverinë greke: “Zbatoni masat që të merrni ndihmën”.
“Teknikisht kemi të gjitha shanset të marrim një vendim në fillim të tetorit, në mënyrë që kësti i radhes të paguhet para datës 15 të muajit të ardhshëm, por me kushtin që Greqia të plotësojë të gjitha kriteret fiskale. Tashmë topi ndodhet në fushën greke”, deklaroi komisioneri për Cështjet Ekonomike, Olli Rehn.
Pavarësisht garancive që jepte ministri grek i Financave para samitit, se Greqia po zbaton me rigorozitet reformat, një ndjesi të hidhur kanë krijuar për Athinën zyrtare qëndrimet e ministres së Financave të Finlandës, që vazhdon të kërkojë ende garanci për ndihmën, si dhe të Austrisë që nuk përjashtoi mundësinë e falimentimit të Greqisë dhe jo të shpëtimit të saj nëse do ishte më i kushtueshëm.
“Do të vazhdojmë me vendosmëri rrugën tonë. Nëse do të gjendemi përballë një situate që do të ketë kosto të lartë, atëherë do të duhet të gjejmë një alternativë tjetër, por kjo ende nuk ka ndodhur”, u shpreh Maria Fekter, minstrja austriake e Financave.
Rëndësia e këtyre bisedimeve, që kishin synim krizën e borxhit në të dy anët e Atlantikut, u shpreh edhe me pjesëmarrjen për herë të parë të ministrit të Financave të SHBA, Timothy Geithner.
Numri një i Departamentit amerikan të Thesarit u ka bërë thirrje kolegëve europianë që t’u japin fund deklaratave të papërcaktuara për një mundësi të shpërbërjes së eurozonës.
Ndërsa nuk ngelur pa u komonetuar deklarata e ministrit polak të Financave, sipas të cilit do të mund të ndodhë sërish luftë nëse shkatërrohet eurozona.
Kriza, Barroso propozon eurobondet
Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso propozoi eurobondet për të zgjidhur krizën e Eurozonës, duke e konsideruar si sfidën më serioze të një brezi.
“Dua të konfirmoj se Komisioni së shpejti do të paraqese opsionet për paraqitjen e eurobondeve. Disa nga këto opsione mund të zbatohen brenda afateve të traktatit altual, të tjerat do të kërkojnë ndryshime të tij”, deklaroi Barroso në Parlamentin Europian.
Barroso nënvizoi se këto masa nuk janë të mjaftueshme për të zgjidhur krizën e borxhit të eurozonës.
“Por ne duhet të jemi të ndershem, kjo nuk do te sjellë një zgjidhje të menjëhershme për të gjithë problemet me të cilat përballemi dhe do të vijë si një element i përqasjes gjithëpërfshirëse për integrimin e mëtejshem ekonomik dhe politik”, nënvizoi presidenti.
Top Channel