PSG kërkon shërbimet e Beckham

16/09/2011 10:20

Leonardo, drejtori sportiv i Paris Saint Germain, është shprehur në një intervistë për BBC se do t’i pëlqente shumë që David Beckham të ishte pjesë e ekipit francez.

“Porta është gjithmonë e hapur për një lojtar si Beckham. Ai është më shumë se një futbollist, është një markë që gjithmonë do të ketë respektin e botës së futbollit”, deklaroi Leonardo kur u pyet nëse do të ishte i interesuar në blerjen e mesfushorit 36-vjeçar.

“Kam punuar me Beckham kur unë isha trajner i Milanit dhe ai erdhi në formë borxhi. Ai stërvitet dhe luan me dëshirën e një fëmije. Është i respektueshëm dhe gjithmonë kërkon më të mirën për ekipin e tij. Është një shembull për të gjithë”, shton braziliani, ish-trajner i Milanit dhe Interit.

Kontrata e Beckham me Los Angeles Galaxy skadon në përfundimin e këtij sezoni dhe është përfolur një rikthim i tij në Angli, tek Queens Park Rangers apo Tottenham Hotspurs.

PSG është klubi europian i dytë që ka shpenzuar më shumë në merkaton e verës. Francezët kanë harxhuar 76 milionë euro për blerjet e Gameiro, Matuidi, Sissoko, Bisevac, Sirigu, Lugano, Douchez dhe Pastore. E gjitha kjo falë blerjes së klubit nga sheikët e Qatar Sports Investments.

Top Channel