Peshëngritja, i vetmi nderim

16/09/2011 15:45

Peshëngritja shqiptare shijon medaljet e fituara në Kampionatin Europian të zhvilluar në Rumani me shpresën për të përsëritur të njëjtin sukses edhe në kompeticionet e ardhshme, siç është Botërori i Parisit në muajin nëntor, Olimpiada Londër 2012 dhe Europiani për të rritur që për herë të parë do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2014.

“Një mundësi shumë e madhe që ju dha Shqipërisë me një mundim prej tre vitesh. Për herë të parë Shqipëria merr një përsipër një eveniment të tillë”, deklaroi Esat Ademi, president i FSHP-së.

Në Europianin për të rinj Daniel Godelli fitoi medaljen e artë në stilin e shkëputjes për peshën 69 kilogramë, Hysen Pulaku mori 2 medalje argjendi, ndërsa Briken Calja 3 medalje bronzi.

Këto suksese e kanë konfirmuar peshëngritjen si sportin elitar në vend, ndërsa përtej optimizmit sportistët kërkojnë ndihmë më të madhe financiare për të pretenduar medalje në turneun gjigand siç janë Lojrat Olimpike Londër 2012.

“Nëse këtu kërkohet medalje olimpike duhet më shumë ndihmë nga shteti”, tha peshëngritësi Briken Calja.

“Premtoj që në kampionatin që do luhet këtu medaljet do i marrë unë”, theksoi peshëngritësi Daniel Godelli.

Sipas drejtuesve të peshëngritjes, përfaqësuesja shqiptare e shtangës do të paraqitet në Londër 2012 me skuadrën më të kompletuar, çka do të thotë mundësi më e madhe për të synuar medalje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA