Neuer: Nuk do të pritem mirë nga tifozët e Schalke

15/09/2011 16:10

Manuel Neuer, portieri i Bayern Munchen, do të luajë një ndeshje të veçantë të dielën kur të përballet në “Veltins Arena” me ish-ekipin e tij, Schalke 04.

Gjermani mendon se nuk do të ketë një pritje të mirë nga tifozët, por është i lumtur sepse do të takohet me miqtë e tij.

“Po pres me padurim ndeshjen në mënyrë që të takoj ish-shokët e ekipit. Do të jetë një ndeshje shumë interesante”, u shpreh Neuer, i cili u largua në qershorin e kaluar nga Schalke për të luajtur me Bayern Munchen.

“I njoh mirë tifozët e Schalke. Ata janë shumë fanatikë dhe e di që nuk do të më presin mirë. Gjithsesi, mendoj se do të ketë disa persona që e kuptojnë se ky është profesioni im dhe do më duartrokasin”, shton portieri i bavarezëve dhe kombëtares gjermane.

Nga ana tjetër, kapiteni i Schalke 04, Benedikt Hoewedes, shpreson që tifozët të mos tregohen të ashpër me Neuer: “Ai nuk meriton një pritje armiqësore sepse ka bërë ndeshje të shkëlqyera me fanellën tonë.”

Top Channel