Cana, mungesa e madhe në Europa League

15/09/2011 00:00

Do të kishte dashur të ishte dhe të jepte kontributin e tij. Duke e
njohur Lorik Canën, ai do të kishte zbritur në fushë edhe me një këmbë
të vetme, por debutimi i tij është shtyrë edhe një herë tjetër

“Sa keq që nuk mund t’u jap një ndihmë shokëve, do të kishte qenë e bukur të debutoja në kampionat”, kishte deklaruar Cana para pak ditëve.

Beteja ka filluar pa të. Luftëtari shqiptar, i cili po rikuperohet nga një tërheqje në kofshë, jo vetëm ka qenë i detyruar të humbë debutimin në “San Siro”, por do të mungojë edhe në Europa League kundër Vaslui. Duhet të qëndroj për dy javë jashtë fushave dhe dëshira për të qenë në fushë sa më shpejt është e madhe: “Këmba është ende e ënjtur, ndaj stafi mjekësor më ka këshilluar të bëj pushim absolut. Pas disa ditësh do të filloj rehabilitimin dhe shpresoj të rikuperohem sa më shpejt që të jetë e mundur”. Të shumta, ndoshta më shumë se sa duhet, janë pritshmëritë nga mesfushori, i cili nuk ka arritur ende formën më të mirë: “Sapo të rikuperohem nga dëmtimi, do të kem nevojë vetëm të luajtur shumë minuta. Do të ketë shumë ndeshje dhe rastet për të demonstruar se sa vlej sigurisht që nuk do të mungojnë. Jam i qetë”. Barazimi në “San Siro” ka evidentuar potencialin lacial, ndërsa Cana pret me ankth radhën e tij. “Shokët më kanë pritur mirë, ashtu siç ka bërë Igli Tare, i cili ka qenë fondamental si për transferimin, ashtu edhe për ambientimin tim. Skuadra ka demonstruar vlerën e saj, tani pres ta bëj po ashtu”, tha Cana në mbyllje.

Top Channel